Kryeministrja britanike Theresa May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakord sot në Berlin se është e nevojshme të sigurohet një dalje e pastër britanike nga Bashkimi Evropian, sipas Dawning Street 10.
AP raporton se May dhe Merkel përfunduan një takim në Berlin më herët sot, pa i zbuluar shtypit ndonjë hollësi të bisedës.
Takimi, i cili zgjati rreth një orë e gjysmë, u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të May për të arritur marrëveshje me partnerët e Bashkimit Evropian për vazhdimin e mëtejshëm të Brexitit.
Një zëdhënëse e kryeministres britanike tha më parë se do të kërkojë zgjatjen e afatit për tërheqjen e Britanisë nga BE-ja, me qëllim që të sigurojë mbështetjen e Parlamentit për planin e saj për Brexit në bisedimet me partinë opozitare laburiste.
Theresa May do të takohet më vonë në Paris sot me presidentin francez Emmanuel Macron.