Botë

Trudeau përjashton nga partia dy deputete që e akuzuan atë për korrupsion

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka përjashtuar nga partia dy deputete që e akuzuan për përfshirjen në skandalin korruptiv me një kompani ndërtimore.

Jody Wilson-Raybould dhe Jane Philpott tashmë kanë dhënë dorëheqje nga kabineti qeveritar i kryeministrit pasi shprehën shqetësimet e tyre për aferën me kompaninë ndërtimore SNC-Lavalin që akuzohet për ryshfet të zyrtarëve në Libi për të fituar kontrata nën regjimin e Muammar Gaddafit, transmeton KTV.

Kompania ka lobuar hapur për marrëveshje që do t’ia mundësonte shmangien e ndjekjes ligjore dhe vetëm të gjobitej nga gjykata. Rrethi i ngushtë i kryeministrit ka bërë presion ndaj Wilson-Raybould që të lehtësonte kompaninë dhe në momentin kur ka refuzuar është larguar nga pozita e ministres së drejtësisë.

Skandali me këtë kompani ka vënë në dyshim lidershipin e Trudeaus demokrat. Andrew Scheer, lider i konservativëve opozitarë, ka thënë se kryeministri tradhtoi drejtësinë kur hoqi nga kabineti dy sinjalizueset që i vënë dritë skandalit me kompaninë ndërtimore.