Forcat austriake të sigurisë bastisën shtëpinë e një aktivisti të ekstremit të djathtë për lidhje të dyshuara me terroristin australian i cili vrau 50 myslimanë në Zelandën e Re, njoftuan prokurorët.
Hansjoerg Bacher, zëdhënës i prokurorëve në qytetin e Grazit, u tha gazetarëve se shtëpia e Martin Sellner është kontrolluar si pjesë e një hetimi të lidhjeve të mundshme me terroristin i cili vrau persona në dy xhami në Christchurch, transmeton Anadolu Agency.
Bacher tha se llogaritë bankare të Sellner ishin gjurmuar nga policia dhe rreth 1.500 euro i ishin dhuruar nga një person mbiemri i të cilit ishte i njëjtë me terroristin.
Ai shtoi se forcat e sigurisë kanë konfiskuar pajisje elektronike gjatë kontrollit të së hënës në shtëpinë e Sellnerit.
“Çdo lidhje midis sulmuesit të Christchurch dhe anëtarëve të Lëvizjes Identitare duhet të hetohet tërësisht dhe pa mëshirë”, shkroi në Twitter kancelari austriak Sebastian Kurz, duke shtuar se ai ka folur edhe me ministrin e Drejtësisë, Josef Moser.
Agjencia e inteligjencës austriake ka thënë se terroristi australian kishte vizituar Austrinë më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Ndryshe, 50 persona u vranë në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re më 15 mars, kur një terrorist, i identifikuar si Brenton Tarrant nga Australia, hapi zjarr mbi besimtarët gjatë namazit të xhumasë.