Katër shtete të Gjirit Arab e kanë kundërshtuar të marten vendimin e SHBA-së për njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, teksa Riadi ka paralajmëruar se ky veprim do ta dëmtojë procesin e paqes dhe do të ndikojë në stabilitetin rajonal.
Arabia Saudite, Bahreini, Katari dhe Kuvajti – të gjitha aleate të Washingtonit – e kanë kritikuar veprimin e presidentit Donald Trump për ta njohur aneksimin izraelit të 1981-tës dhe kanë thënë se ky territor ishte tokë e okupuar arabe, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“Do të ketë efekte të konsiderueshme negative mbi procesin paqësor në Lindjen e Mesme, ashtu si edhe sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, shkruan në një deklaratë të agjencisë shtetërore saudite të lajmeve, SPA.
Deklarata e të së hënës është cilësuar si shkelje e qartë e Kartës së OKB-së dhe e ligjit ndërkombëtar.
Kuvajti dhe Bahrejni kanë shprehur keqardhje për vendimin, derisa Katari i ka bërë thirrje Izraelit që t’i japë fund okupimit të Rrafshnaltës së Golanit dhe t’i respektojë rezolutat ndërkombëtare.