Botë

Erdogani i quan “armiq të Islamit” Pirin, Hahnin dhe Mogherinin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar politikanët e BE-së si Kati Piri, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn se janë armiq të Islamit. Ai, po ashtu, kritikon edhe raportin e fundit të miratuar nga BE-ja në favor të ngrirjes zyrtare të procesit të anëtarësimit të Turqisë, raportojnë mediet turke.

Gjatë një interviste për televizionin pro-qeveritar Ülke, Erdogani është pyetur rreth vërejtjeve nga Piri, raportuesen e Turqisë për Parlamentin Evropian, kundër shndërrimit të “Hagia Sophia” në Stamboll në një xhami.

“Nuk ka nevojë të flitet për atë grua në PE. Le të mos e shpërndajmë propagandën e saj... Ata këshillojnë [BE-në] për të ndaluar bisedimet e rreth anëtarësimit. Do doja që ta përfundojnë një gjë të tillë dhe të ndalonin bisedimet rreth hyrjes [në BE]. Ministri ynë i Jashtëm ka bërë shpjegimet e nevojshme në takimin me Mogherinin [shefen e punëve të jashtme në BE], pastaj me atë gruan [Piri] dhe me austrianin [Hahn]. Por ata nuk janë të ndershëm, nuk janë të sinqertë. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë: Ne jemi myslimanë dhe ata janë armiq të Islamit”, është përgjigjur Erdogani, shkruan “Turkish Minute”, transmeton Koha.net.

Më 13 mars, ligjvënësit e BE-se kanë votuar 370 për, 109 kundër dhe 143 kanë abstenuar për të ngrirë zyrtarisht procesin e anëtarësimit të Turqisë, gjë që e cila do të rrezikonte disa financa të Bashkimit Evropian.

Qeveritë e BE-së e kanë fjalën e fundit në çdo pezullim.

Vërejtjet e Erdoganit tërhoqi kritika nga Piri, e cila tha për “Euronews” Erdogani po vepron si një politikan populist. Gjithashtu, ajo tha se ai po tenton të mbajë njerëzit kundër njëri-tjetrit duke pretenduar se Perëndimi dhe Bashkimi Evropian janë armiq të Islamit. Piri, po ashtu, tha se Erdogani është duke hedhur themelet për masakra.