Bashkimi Evropian do të duhej që t’i suspendojë formalisht negociatat e anëtarësimit të Turqisë në bllok, kanë thënë të mërkurën ligjvënësit e BE-së duke i adresuar një qortim simbolik presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin Qeveritë perëndimore e akuzojnë për abuzim gjithëpërfshirës të të drejtave të njeriut.
Duke e shpalosur qëndrimin e përbashkët të Parlamentit Evropian rreth synimit të kahershëm të Turqisë për t’u bërë pjesë e BE-së, ligjvënësit e mbështetën me 370 vota për, 109 kundër dhe 143 abstenime ngrirjen zyrtare të procesit. Megjithatë, janë Qeveritë e BE-së ato që e thonë fjalën e fundit për çdo lloj suspendimi, transmeton Koha Ditore.
“Ngujimi në një qeli për 17 muaj rresht pa e ditur se për çfarë akuzohesh, ky është realiteti në Turqinë e së sotmes”, ka thënë Kati Piri, ligjvënësja holandeze e qendrës së majtë në PE. Ajo e akuzoi Erdoganin për një “gjah shtrigash kundër kritikëve”, duke iu referuar asaj që BE-ja e sheh si shtypje të disidencës, rrënim të pavarësisë së gjyqësorit dhe kthim kah autoritarizmi, veprime këto që bien ndesh me vlerat demokratike dhe parimet e lirisë së shprehjes të bllokut.
Ankaraja zyrtare e cilësoi votën si të pakuptimtë. Zëdhënësi i partisë turke në pushtet AKP, Omer Çelik, e quajti “të pavlefshëm, jovalid dhe të pandershëm”.
Ministria e Jashtme turke bëri të ditur se pret që PE-ja të marrë vendime objektive dhe qëndrim konstruktiv për t’i kontribuar procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE.
Parlamenti e mori një qëndrim të tillë dy ditë para se shefja për politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, të takohet në Bruksel me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, për t’i diskutuar marrëdhëniet bilaterale. Procesi i BE-së nuk është ngrirë formalisht por ka ngecur qysh para masave të spastrimit që Erdogani ndërmori kundër të akuzuarve për përfshirje në puçin e dështuar të 2016-s dhe ngritjes së tij kundër Evropës më 2017, duke i krahasuar Qeveritë në Holandë dhe Gjermani me regjimin nazist.