Presidenti amerikan, Donald Trump është i hapur për bisedime shtesë me Penianin rreth denuklearizimit, ka deklaruar të enjten këshilltari i tij për siguri shtetërore, me gjithë raportet në medie se Korea Veriore është duke riaktivizuar pjesë të programit të raketave.
Aktivitete të reja janë detektuar në një fabrikë që kishte prodhuar raketat e para ndërkontinentale ballistike të Koresë Veriore (ICBM), me kapacitet për të goditur caqe në SHBA, shkruajnë gazetat jugkoreane, “JoongAng Ilbo” dhe “Donga Ilbo”, duke cituar ligjvënësit e këtij shteti.
Raportet e aktiviteteve verikoreane ngrenë pikëpyetje rreth të ardhmes së dialogut midis Trumpit dhe liderit verikorean, Kim Jong Un, pas dështimit të samitit midis dy liderëve, në Vietnam gjatë javës së kaluar.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton ka deklaruar të enjten se Trump vazhdon të jetë i hapur për bisedime shtesë me Korenë Veriore, rreth denuklearizimit.
“Presidenti natyrisht se është i hapur për biseda të reja. Do të shohim se kur mund të caktojmë një takim të radhës apo si do të mund të bëhet një gjë e tillë”, ka thënë Bolton në intervistën për Fox News.