Teksa javët e modës ndjekin këmba-këmbës njëra-tjetrën nga New Yorku në Londër, Milano dhe Paris, me qindra modele udhëtojnë nga një kryeqytet i modës në tjetrin me shpresë që ta sigurojnë një vend pune. Ama shumica e tyre do të kthehen në shtëpi, duke qëndruar financiarisht edhe më keq.
Anna (që nuk është emri i saj i vërtetë) ka punuar si modele qysh se ishte 17-vjeçare, duke u shfaqur në pasarela për shtëpitë e modës si “Prada”, “Mulbery”, “Comme des Garcons” dhe shumë të tjera, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Por pas tre vjetësh ajo ende nuk ia ka dalë që të shlyejë gjithë shumë prej 10.000 funtesh që ua ka borxh agjencive të modelimit.
“Telashet e mia me borxhet kanë nisur qysh prej asaj dite që e nisa modelimin”, tregon ajo për BBC-në.
Agjencia e parë me të cilën Anna nënshkroi kontratë, në qytetin e saj të lindjes në Evropën Perëndimore, e ngarkoi me 350 funte për t’ia bërë fotografitë testuese, një kosto kjo që i është shtuar xhirollogarisë me emrin e saj. Më vonë ajo udhëtoi në Londër për aktrim dhe edhe për këtë gjë shpenzimet i janë shtuar xhirollogarisë së saj, bashkë me koston e akomodimit dhe shpenzimeve për jetën. Shuma e borxhit vetëm sa rritej.
“Ata më pyetnin në rast se e dëshiroja një shofer, pa e precizuar qartë se kjo gjë ishte goxha e kushtueshme dhe se isha unë ajo që duhej të paguante për gjithë këtë”, thotë ajo.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)