Botë

Së shpejti do të shembet ndërtesa e Pablo Escobarit në Medellin

Ndërtesa e bosit të ndjerë të drogës, Pablo Escobar, në Medellin, do të rrafshohet me eksplozivë për t’i lënë vendin një parku, që do t’iu dedikohet viktimave të trafikut të drogës.

“Ndërtesa do të shembet. Kjo nuk është një përpjekje për të fshirë historinë, por për të filluar ta tregojmë atë në nder të heronjve të vërtetë, viktimave”, shkroi Bashkia e qytetit në një postim në Twitter.

Bunkeri tetëkatësh, ku Escobari dhe familja e tij jetuan, do të shembet madje para syve të publikut. Në vend të tij do të ndërtohet një hapësirë përkujtimore prej 5.000 metrash katrorë, në nder të viktimave të vrara gjatë viteve 1980-’90, ndërsa trafikantët e drogës u përfshinë në një luftë të përgjakshme me autoritetet.

Kjo është pjesë e një nisme për të treguar faqen tjetër të historisë së Medellinit, që rrallëherë është treguar në dramatizime televizive apo vizita turistike. Çdo ditë, grupet e turistëve vizitojnë ndërtesën e bardhë të ndërtuar në “El Poblado”, një nga lagjet më ekskluzive të Medellinit në vitet 1980.

Tani e zbrazët, më herët ndërtesa përdorej nga policia. Escobari ka qenë një nga njerëzit më të pasur të botës, sipas revistës “Forbes”, në krye të një perandorie që ai ndërtoi me drogë dhe terror. Ai u vra nga policia në vitin 1993./TopChannel