Një javë vendimtare nis sot për kryeministren britanike, Theresa May, e cila do të përpiqet të shpëtojë marrëveshjen e Brexitit, e rrezikuar që të kundërshtohet gjatë votimit historik të martën në Parlament, ku vihet gjithashtu në pikëpyetje e ardhmja e saj në Downing Street, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.
Deputetët britanikë do të votojnë të martën në mbrëmje për ”Traktatin e tërheqjes” nga Bashkimi Europian, pas negociatash të vështira 17-mujore me Brukselin, por ku miratimi i tij ka shumë gjasa të dështojë për shkak të kritikave të shumta që ka marrë.
Marrëveshja po zhgënjen gjithashtu edhe mbështetësit më të flaktë “Brexiters”, të cilët i druhen një forme të qëndrimit të përhershëm në BE, që eurofilët shpresojnë ende të jenë të gjendje ta kthejnë pas.
Pas tre ditëve të para të diskutimeve në Dhomën e Komunave javën e kaluar, qeveria konservatore do të bëjë përpjekjet e fundit të hënën dhe të martën për të bindur deputetët për legjitimitetin e tekstit, por mundësitë për tia dalë mbanë janë të pakta.