Botë

Ukraina dhe Rusia në prag lufte?

Ukraina i ka kërkuar ndihmë NATO-s për garantimin e sigurisë së vendit, pas përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë për shkak të incidentit me anijet e sekuestruara nga Moska. Ndërsa qeveria e Kievit jep alarmin se disa porte të Ukrainës në ngushticën Kërç janë bllokuar nga Rusia.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko i ka bërë thirrje NATO-s që të dërgojë anije në Detin Azov pas përplasjes detare me Rusinë në afërsi të Krimesë. Ai tha për gazetën gjermane Bild se shpresonte që anijet mund të zhvendosen për të “ndihmuar Ukrainën në garantimin e sigurisë”, transmeton abcnews. Të dielën, Rusia hapi zjarr ndaj 3 anijeve të Ukrainës dhe sekuestroi mjetet lundruese bashkë me pjestarët e bordit në Ngushticën e Kërçit mes Detit të Zi dhe Detit Azov. NATO ka shprehur mbështetje të plotë ndaj Ukrainës, shtet i cili nuk është vend anëtarë.

Mes përkeqësimit të mardhënieve, presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Poroshenkon për krijimin e “një provokimi detar” për të fuqizuar veten në sondazhe përpara zgjedhjeve të 2019-s. Presidenti Poroshenko implementoi ligjin ushtarak në rajonet kufitare të Ukrainës për 30 ditë në kundërpërgjigje të krizës. Në një intervistë për Bild, ai tha se Putin nuk dëshiron asgjë më pak se sa pushtimi i detit Azov.

Petro Poroshenko, president i Ukrainës: “Ne nuk mund të pranojmë këtë politikë agresiviteti të Rusisë. Fillimisht në Krime, pastaj në lindje të Ukrainës, tani ai dëshiron edhe Detin Azov. Gjithashtu edhe Gjermania e ka pyetur veten: çfarë do të bëjë Putin më tej nëse ne nuk e ndalojmë atë?”.

Duke qëndruar tek përplasjet, ministri i infrastrukturës së Ukrainës thotë se që prej 28 nëntorit, portet ukrainase në detin Azov janë bllokuar nga Federata Ruse. Sipas tij “anijet e ndaluara në hyrje dhe dalje janë 35, ndërsa objektivi i Kremlinit është i qartë: të bllokohet qasja në portet e Ukrainës në Detin Azov me shpresën që të na dëbojë nga territori ynë”. Por nga ana tjetër, Rusia ka mohuar një gjë të tillë.

Ndërkohë, të hënën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që të lirojë anijet ukrainase dhe marinarët e ndaluar ose në të kundërt “Moska i kupton vetë pasojat e veprimeve të saj”. Ai theksoi se Aleanca Ushtarake do të vazhdojë të garantojë “mbështetje politike dhe praktike” për Ukrainën, e cila është shtet partner I NATO-s. Ndërkaq, të paktën 3 marinarë ukrainas mbetën të plagosur pasi rojet bregdetare të Rusisë hapën zjarr ndaj dy luftanijeve dhe një remorkiatori të Ukrainës në afërsi të Krimesë. Mjetet lundruese po lëviznin në detin Azov. Të dy vendet janë dakordësuar të përdorin këtë hapësirë detare në bazë të një traktati të nënshkruar në vitin 2003, por vendimi i Rusisë për të hapur një urë përmes Ngushticës së Kërçit, çoi në përshkallëzimin e tensioneve.