Botë

Gjykata bllokon ndalesën e Trumpit kundër imigrantëve ilegalë

San Francisco, 20 nëntor (Reuters) – Një gjykatës amerikan ka bllokuar të hënën përkohësisht urdhrin e presidentit, Donald Trump, për ndalimin e të drejtës së azilit për imigrantët që hyjnë ilegalisht në vend nga Meksika, duke u shkaktuar një tjetër disfatë ligjore politikave të imigracionit të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Gjykatësi i gjykatës së Qarkut në San Francisco, Jon Tigar, vendosi për bllokimin e përkohshëm të urdhrit kundër azilit dhe vendimi i tij do të hyjë në fuqi menjëherë ndërsa do të zbatohet kudo në SHBA deri më 19 dhjetor, kur kjo gjykatë duhet të mbajë një tjetër seancë dëgjimore për shqyrtimin e masave të tjera afatgjate.

Trumpi urdhëroi gjatë këtij muaji që zyrtarët e imigracionit t’i procesojnë kërkesat për azil vetëm të atyre emigrantëve, të cilët janë në gjendje të dëshmojnë se kanë hyrë në SHBA nëpërmjet hyrjeve zyrtare. Grupe të të drejtave civile kanë ngritur padi ndaj vendimit, duke argumentuar se urdhri i 9 nëntorit i presidentit Trump përbën shkelje të ligjit administrativ dhe të imigracionit.

Në vendimin e tij, Tigar tha se Kongresi ka mandatuar në mënyrë të qartë se imigrantët mund të aplikojnë për azil, pavarësisht se si kanë hyrë në vend. Gjykatësi e quajti vendimin e fundit të Trumpit si “shkëputje e plotë” prej praktikave të mëhershme.

“Cilado qoftë shtrirja e autoritetit të presidentit, ne nuk mund t’i rishkruajmë ligjet e imigracionit për ta zbatuar një kusht, të cilin Kongresi shprehimisht e ka ndaluar”, ka thënë Tigar. Gjykatësi Tigar ishte emëruar në këtë post nga presidenti i mëhershëm amerikan, Barack Obama.

Edhe vendimet e mëparshme të Trumpit për imigracion ishin bllokuar prej gjykatave amerikane.

Vendimi i azilit u mor pasi që me mijëra qytetarë nga Amerika Qendrore, përfshirë këtu një numër të madh fëmijësh, janë nisur drejt kufijve amerikanë me karvane të organizuara, në mënyrë që të shpëtojnë nga dhuna dhe varfëria në vendet e tyre të origjinës. Disa prej tyre tanimë kanë mbërritur në Tijuana, qytet ky meksikan në kufi me Californian.