Zyrtarët kanadezë të inteligjencës i kanë dëgjuar incizimet turke të asaj që i ndodhi gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka deklaruar të hënën kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, duke shtuar se ai është në negociata me aleatët rreth hapave që duhet të ndërmerren.
Khashoggi, kritik i princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salmanit, ishte vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, nga një ekip i dërguar prej Riadit. Autoritetet saudite e kanë pranuar se fjala ishte për vrasje me paramendim, por kufoma e tij nuk është gjetur, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.
Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan ka thënë gjatë fundjavës së audio-xhirimet e vrasjes u janë dhënë qeverive amerikane, franceze, gjermane dhe britanike.
I pyetur gjatë një vizite në Paris nëse inteligjenca kanadeze i kishte dëgjuar incizimet turke, Trudeau ka thënë: “Po”, duke shtuar se ai personalisht nuk e ka dëgjuar.
“Agjencitë kanadeze të inteligjencës janë duke bashkëpunuar ngushtë rreth kësaj çështjeje me inteligjencën turke, derisa Kanadaja është informuar në tërësi rreth asaj që ka Turqia”, ka thënë Trudeau gjatë një konference shtypi.
Ai ka shtuar se për këtë çështje kishte biseduar edhe me Erdoganin, në Paris, gjatë fundjavës.