Mosinicimi i ndryshimit të Ligjit për Përfitimet e ish-zyrtarë Publikë dhe mospërfshirja e tij në Ligjin e Pagave, sipas opozitës, po bëhet pasi ata shumë shpejt do të jenë vetë përfitues.
“Duke e llogaritur në atë që shumë shpejt do të jenë si me thanë përfitues të kësaj skeme… si ish-zyrtarë praktikisht nuk e kanë trajtuar fare, përkundrazi ne e shohim që edhe në Ligjin e Buxhetit ka një rritje të pagave të presidentit, ka një rritje të theksuar të pagës se kryeministrit dhe disa zyrtarëve tjerë”, ka thënë Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës.
Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se pushteti aktual i Vetëvendosjes ndryshe kishte vepruar sa ka qenë në opozitë.
“Sa i përket benefiteve pas përfundimit të mandatit dhe Ligjit për Paga, mendoj që Vetëvendosja ndryshe e ka thënë këtë kur ka qenë në opozitë dhe të qenit në pozitë apo qeveri po vepron ndryshe. Që do të thotë nuk ka koherente me atë të bërit opozitë me atë që është në qeveri dhe kjo dëshmon që me tepër po dominon interesi i zyrtarëve sa është në pushtet sesa ajo që e ka proklamuar çdoherë që punon në interesin e qytetarëve dhe të ruaj pjesën e parasë publike”, ka thënë ai.
Shala i PDK-së thotë se partia në pushtet, ka ngritur pagën vetës ndërkohe që nuk është merr fare me ligjin siç e quan ai të “privilegjeve”.
“E kanë ngritur pagën bazë, por nuk e kanë prekur ligjin e privilegjeve të cilat parimisht i kanë proklamuar si të dëmshme, si burokratike, si familjare, si çka tjetër, në esencë këta e kanë rritur shkallën e privilegjeve të zyrtareve pas përfundimit të mandatit”, është shprehur Shala.
Deputeti Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se çdo ligj do ta ketë kohën e vet, teksa thotë se është legjislatura që ka bërë më së shumti ligje.
“Na e kemi bo Ligjin për Pagat, çdo ligj tjetër që ka nevojë të ndryshohet sigurisht që ka me pas kohen e vet edhe mundësinë për me e ndryshu, sot ka shumë ligje që janë në procedurë sot ka diku rreth, me sa e di unë afër 50 ligje ose projektligje janë në procedurë të Kuvendit që nuk kanë mundësi që të përfundohen brenda afatit që duhet të kaloj si komision ose si seancë. Nuk ka legjislaturë deri tash ose vit në legjislaturë që ka punu kaq shumë ligje dhe është e pamundur të gjitha ato ndryshime apo projektligje të ndryshohen dhe të plotësohen/ndryshohen kaq shpejtë në këtë kohë për dy vjet”, është shprehur ai.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se ish-zyrtarët e lartë shtetëror përfitojnë shuma marramendëse brenda muajit, por se një e drejtë e fituar nuk mund t’iu merret me një ligj tjetër. Teksa përmend edhe qasjen e Vetëvendosjes për këtë ligj sa ishte në opozitë.
“Sa i përket sigurisë Juridike është e vërtetë që këto përfitime të këtyre zyrtarëve të lartë nuk mund të shfuqizohen më edhe nëse do miratojmë një ligj të ri, sepse një e drejtë e fituar në bazë të parimeve të drejtësisë, nuk mund të shfuqizohet përmes një akti tjetër ligjor, përveç që raste të caktuar kur të njëjtit në njëfarë mënyre i shkelin kushtet kriteret të cilat janë të përcaktuara me ligj”, ka deklaruar Ehat MIFTARAJ, drejtor ekzekutiv në IKD/
Sipas tij, karakteristike e kësaj është fakti që Lëvizja Vetëvendosje sa ka qenë në opozitë në vazhdimësi kishte kritikuar një qasje të tillë dhe kishte premtuar se sapo të vijë në pushtet në njëfarë mënyre kjo gjë do të ndryshojë.
“Për me tepër kanë qenë zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes të cilët kishin kritikuar plotësim/ndryshimin e Ligjit që kishte ndodhur herën e fundit duke thënë se pushtetarët, në këtë rast zyrtarët e lartë shtetërore që kanë qenë atë kohe në pozitë, po dëshirojnë t’i bëjnë favore vetes që posa të dalin në pension njëfarë menyre të kenë një jetë luksoze, një jetë të sigurt”, ka shtuar Miftaraj.
Në anën tjetër, Valon Ramadani nga Vetëvendosje, nuk i ka shumë të qarta përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, por sidoqoftë beson se kjo pjesë do të rregullohet.
“Kryeministri, përveç mbrojtjes së afërt nëse e ka nevojën që shohim na që ka pas raste që e kanë përcjelle një vjet ose qysh janë të rregullume unë nuk mendoj që ata gëzojnë ato beneficione qysh, ose duhet me pa mirë sakte ku, por të presidentja e thash të kryeministri unë besoj që do të rregullohet ajo”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së, ka shtuar se do shohin se si këto përfitime janë të rregulluar në shtetet për të marrë si model, nëse veç do të iniciohet diçka në këtë drejtim.
Ramadani, për dallim nga bashkëpartiakët e tij që kritikonin në kohën sa ishin në opozitë, thotë se zyrtarët e lartë pas përfundimit të mandatit duhet të kenë përfitime.
“Unë personalisht tash po flas kur të vjen kjo teme në diskutim, kam me dhanë edhe mendimin tem nuk është që mendoj që një kryeministër, cilido kryeministër që është unë e kam edhe në 2018, unë e dinë edhe ata anëtaret e komisionit që kam qenë në atë kohe, që unë nuk mendoj që një kryeministër i vendit në momentin që e kryen mandatin të jetë edhe pa asnjë page se le mo për tjera çështje. Se ka çështje të ndishme që kryeministri ballafaqohet gjatë mandatit katërvjeçar, tetëvjeçar ose sado fiton mandate prej popullit”, është shprehur ai./BetimipërDrejtësi