Një aspekt tjetër që vështirëson punën e gazetarëve për t’u qasur për aq sa lejon ligji në punën e prokurorive, është qasja e praktikave të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Munishi nuk lejon asnjë gazetar, përfaqësues të shoqërisë civile apo avokat që të ketë me vete telefonin privat gjatë vizitave në këtë prokurori. Për këtë praktikë Instituti i Kosovës për Drejtësi, “Betimi për Drejtësi” dhe KOHA janë ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Saranda Ramaj, gazetare në KOHA, ka thënë se këto institucione arsyetohen me mbrojtjen e integritetit të hetimeve, por që ky arsyetim abuzohet nga këto institucione pikërisht për të mos kthyer përgjigje te disa media e sidomos mediat që ata i kritikojnë.
“Unë kam bërë ankesë këto ditë ne Agjencinë për Informim dhe Privatësi për shkak që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka muaj ose jo vite që e ka kushtëzuar hyrjen e gazetarëve në objektin e Prokurorisë së Shtetit vetëm pasi t’u ndalet telefoni. Kjo qasje është qasje absolutisht e padinjitetshme ndaj gazetarëve. Prokurorët nuk kanë çka për të fshehur, prokurorët do duhej ta dinë më mirë Kodin Penal ose Kodin e Procedurës Penale më mirë se gazetarët dhe nëse ka informata nuk do duhej t’i ndajë me publikun dhe me gazetarët atëherë atë nuk do duhej ta bënin as në mënyrë zyrtare as në mënyrë jozyrtare”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se këto veprime janë të paligjshme pasi nuk kanë asnjë kompetencë ta marrin edhe ta kenë telefonin e gazetarit.
“Telefoni i gazetarit për gazetarin nuk është vetëm telefon, ai është mjet i punës, në atë mjet të punës janë të gjitha burimet dhe informatat që gazetari mund t’i ketë. Nuk ka kurrgjë ma të vlefshëm për gazetarin sesa ta mbrojë burimin dhe ta mbrojë informacionin. Kështu që vetë fakti që ata i frikësohen kaq shumë gazetarëve edhe përballen me gazetarë flet për mungesë të theksuar të transparencës e flet po ashtu për rezultatet e dobëta e tendence për t’i fshehur këto rezultate në sy të publikut”, ka theksuar Ramaj.