Që prej vitit 2018 e deri në fund të vitit 2021, numri i rasteve të pazgjidhura në divizionin civil pothuajse është dyfishuar.
Sipas hulumtueses nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Anesa Hoxha, shkaktar kryesor i rritjes së numrit të lëndëve është për shkak të mospërmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Kontratat Kolektive.
“Shkaktari kryesor i ngritjes së numrit të lëndëve të pranuara dhe rëndimi kaq i madh i sistemit gjyqësor është administrimi jo adekuat i institucioneve të cilat janë të obliguara të përmbushin detyrimet sipas Kontratave Kolektive”, është shprehur Hoxha.
Në vitin 2017, ishte nënshkruar Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë. Ndër të tjera, në nenin 35, në pikën 7 dhe 8 të kësaj kontrate parashihet që të punësuarve t’u sigurohet shujta gjatë orarit të punës dhe kompensimi i shpërblimit jubilare sipas vlerës së përcaktuar në këtë kontratë. Kontrata kolektive janë nënshkruar edhe për sektorë të tjerë të punësuarve.
Për këtë Hoxha shtoi se obligimet e përcaktuara në kontrata kolektive janë zbatuar përmes vendimeve gjyqësore.
“Kjo pasi institucionet administrative nuk kanë përmbushur obligimet e tyre ndaj punonjësve. Si rrjedhojë, këta të fundit janë obliguar që për realizimin e të drejtave të tyre që rrjedhin nga kontrata kolektive, ti drejtohen gjyqësorit. Ky mosveprim i institucioneve administrative në raport me obligimet e tyre sipas kontratave kolektive ka rënduar tejmase gjyqësorin dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ademaj nga KGJK-ja: Rreth 70 mijë lëndë në civile nga moszbatimi i Kontratës Kolektive
Qerim Ademaj, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka thënë se gjendja aktuale në lëmin civile nuk është e mirë dhe në këtë gjendje pikërisht kanë kontribuar paditë që rrjedhin nga Kontratat Kolektive.
“Sipas disa të dhënave që i kemi siguruar edhe nga zyra e statistikave në Këshill, por edhe zyrat e statistikave të cilat janë nëpër gjykata, por edhe bisedat që i kemi pas me kryetar të gjykatave të cilët i përditësojnë ato të dhëna, në këtë vit parashihet që numri i lëndëve që burojnë nga këto kontrata ka me qenë përafërsisht diku 70 mijë lëndë”, ka thënë Ademaj.
Sipas tij, ky numër i lartë i lëndëve që burojnë nga Kontratat Kolektive përbënë një të katërtën e lëndëve të përgjithshme.
Trajtimi i lëndëve që burojnë nga këto kontrata, profesionalisht nuk janë të rënda për t’u zgjidhur, kështu kjo po iu krijon mundësi gjyqtarëve që të përmbushin normën e zgjidhjes së lëndëve. Për këtë, Ademaj thotë se me rregulloren e re kjo mënyrë do të ndryshojë dhe gjyqtarët nuk do të kenë mundësi që më këto lëndë të arrijnë normën.
35 milionë euro obligime shkaku i Kontratës Kolektive, komunat padisin Qeverinë
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se shumica e komunave kanë paditur Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë pasi Kontrata Kolektive iu ka shkaktuar 35 milionë euro dëme.
“Komunat edhe më tutje janë duke e bartur barrën financiare, por ta shohim se çka do të ndodhë pak më vonë pasi që shumica absolute e komunave kanë ngritur padi për kompensimin e dëmit, që është shkaktuar nga nënshkrimi i kontratave kolektive që nga fillimi deri më tani e që vlera në bazë të analizave të Asociacionit konsiderohet të jetë mbi 35 milionë euro”, ka thënë ai për “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Sipas tij, këto mjetet do duhet të përktheheshin në projekte kapitale nga komunat. Ai shtoi se kanë kërkuar ekzekutivi që të paktën t’iu lejohet një planifikim i mjeteve buxhetore për zbatimin e këtyre kontratave, por sipas tij një gjë e tillë nuk është lejuar.
Frrokaj: IKD ka evidentuar qasje selektive në trajtimin e lëndëve
Përtej kohëzgjatjes së procedurave në lëminë civile si problem i përgjithshëm, Justina Frokaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se në raportin e fundit të publikuar kanë evidentuar raste kur ka pasur trajtim selektiv të rasteve civile.
Sipas saj, në monitorimin e IKD-së, kanë evidentuar tejkalim të mesatares së përgjithshme të vendimmarrjes si në rastin e Gjykatës Themelore ashtu edhe në rastin e Gjykatës së Apelit.
Frrokaj ka shtuar se gjatë monitorimit kanë evidentuar raste të cilat janë kryer shumë më shpejtë se mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve.
Avokati Zekaj: Ka raste kur lëndët e njëjta trajtohen ndryshe nga gjyqtarët
Avokati Diamant Zekaj ka thënë se ka raste për të cilat nuk caktohen seanca me vite dhe se prej tyre që caktohen për një kohë shumë të shkurtër.
Zekaj ka deklaruar se gjatë punës së tij ka hasur në raste të cilat janë pothuajse identike, por që trajtohen ndryshe nga ana e gjyqtarëve.
Zekaj ka shtuar se gjyqtarët duhet të kenë përgjegjësi me të madhe në menaxhimin e lëndëve që janë pranë gjykatës në mënyrë që t’i iket këtij selektimi.