Ekspertët në fushën e markave tregtare theksojnë se përditë ka shkelje që ndodhin në lidhje me të drejtën e përdorimit të markave. Sipas tyre, qëllimi i markës tregtare është të dallojë apo mos të ngjajë me tjetrën.
Njomëza Zejnullahu, profesoreshë në UBT, thotë se markat tregtare janë shenja dalluese, identifikuese të cilat kanë për qëllim dallimin dhe identifikimin e mallrave të shërbimeve të një prodhuesi ose një kompanie prodhuese ose kompanisë tjetër.
“Qëllimi i parë i markave tregtare është funksioni dallues ose identifikues. Domethënë duhet me u ditë çka oshtë diçka që e kam krijuar unë, çka oshtë diçka që e keni krijuar ju. Në kuptimin e produktit ose të shërbimit, pastaj është edhe funksioni i kontrollit se kur kemi markë tregtare edhe kur respektohet marka tregtare përdoret si duhet në bazë legjislacionit në fuqi edhe praktikave, realisht është funksioni kontrollues se mund të kontrollon kualitetin”, është shprehur ajo.
Zejnullahu ka shtuar se esenciale është që marka mos te ketë ngjashmëri që e vë në lajthitje konsumatorin.
“Esenciale te një markë tregtare është ngjashmëria sepse një konsumator, për shembull ne nuk është se kemi kohë dhe as interes, të them të drejtë, me hy me analizuar markën tregtare se a i ka të gjitha elementet domethënë te markat tregtare ngjashmëria, është shumë e rëndësishme dhe mundësia me shkaktu konfuzion te konsumatori që do të thotë na kur e shohim, mundemi me mendu që realisht është prodhim i një marke e në fakt nuk është. Kështu që nëse do të kishte një ndryshim hipotetikisht aq të vogël, sa ju e thatë, me rregull nuk do të duhej të regjistrohej”, ka thënë ajo për emisionin “Betimi për Drejtësi”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati Florin Lata, i cili tha se nëse marka nuk është e dallueshme nga tjetra cili është qëllimi i saj.
“Në qoftë se një shenjë nuk e përmbushë këtë element, pra dallueshmërinë në mes të produkteve të një kompanie me kompaninë tjetër apo shërbimeve, atëherë ajo nuk i plotëson kushtet për regjistrim sepse faktikisht bien në kundërshtim edhe me vetë qëllimin”, ka thënë ai.