Fundi i viteve 80-a të shekullit të kaluar, solli një “garë të armatosur” mes prodhuesve gjerman më prestigjioz të veturave.
Ky trend ka filluar në vitin 1987 me BMW-në, me përditësimin e motorit V12 M70 i prezantuar në Series 7 (E32). Atë kohë, është pritur edhe përgjigjja nga Mercedesi dhe Audi.

Megjithatë, BMW-ja nuk ka pushuar fare pasi ka punuar edhe në një motor më të madh e më të fuqishëm. Në fshehtësi maksimale, ekipi i inxhinierëve kanë punuar në zhvillimin e motorit 16-cilindrash për Series 7 (E32) , transmeton Koha.net. Për shkak të fshehtësisë, ky projekt ka marrë emrin kodues “Goldfisch” (“Peshku i Artë”). Si bazë për zhvillimin e këtij motori më të fuqishëm, ka shërbyer M70 me 12-cilindra.
Katër cilindrat shtesë kanë rritur shpenzimin mesatar të karburantit nga 5.0 në 6.7-litra. Në pranverën e vitit 1988, “Peshku i Artë” është testuar për herë të parë dhe ka treguar se motori i tij zhvillon 408 kuajfuqi, madje në matjet e izoluara deri në 430. Falë bllokut nga alumini, ky motor V16 peshonte 310 kilogramë.

Detyra tjetër ishte montimi i këtij motori në një veturë testuese. Inxhinierët zgjodhën 7-shen e zgjatur me eksterier me ngjyrë metalike të kafenjtë dhe marshin manual me 6 shpejtësi.
Në mënyrë që motori V16 të montohej në hapësirën për motor te karroceria e veturës, inxhinierët është dashur që të gjitha pjesët për ftohje t’i zhvendosin në bagazh, gjë që është një zgjidhje që kurrë nuk u përdor nga BMW-ja ose ndonjë prodhues tjetër, përcjell Koha.net. Pas vendosjes së ftohësit të motorit në bagazh, inxhinierët janë detyruar që të hapin vrima për ajër anash në pjesën e pasme të karrocerisë.

Ishte e qartë se vendosja e motorit V16 kërkonte një seri tërësisht të re e veturave, madje është menduar për një model super-sportiv apo një limuzinë luksoze. Po ashtu, për zhvillim dhe testim të këtij motori do të duheshin së paku pesë vjet të tjera dhe kështu, menaxhmenti i kësaj kompanie bavareze ndërpreu këtë projekt dhe i vetmi model BMW E32 V16 ka përfunduar në muzeun e fabrikës së BMW-së.