Prodhuesi nga Mioveni i Rumanisë, në pronësi të gjigantit francez Renault, Dacia, përjetoi arritje historike duke shitur veturën e tetë milionët, nga viti 2004 e deri më sot.
Prodhuesi rumun i veturave u themelua në vitin 1968 me emrin UAP ose, Uzina de Autoturisme Pitesti. Tre inicialet mund të gjenden gjithashtu në emblemën e parë të markës, së bashku me një shqiponjë të vendosur në majë të një vargmali (si referencë për Karpatet).
Emri Dacia u shfaq për herë të parë në vitin 1980, kur prodhuesi nga Mioveni përditësoi logo të re, me sfond të zi.
Në vitin 1999, Grupi Renault mori në pronësi Dacian dhe në vitin 2003, njihet emblema e tretë në historinë e kompanisë, në të cilën emri shkruhet në një sfond blu. Për më tepër, ishte logoja e parë e Dacias që njihet jashtë kufijve të Rumanisë, falë modelit Logan, i cili debutoi në vitin 2004.
Megjithëse Logan fillimisht ishte menduar të tregtohej vetëm në Rumani, përfundimisht filloi të shitet në tregjet e tjera të Evropës Lindore dhe shumë shpejt ky sedan i njohur u përhap në tregjet e pasura të Evropës Perëndimore.
Katër vite më vonë, Dacia lansoi modelin Sandero dhe bashkë me të, një logo të re dhe më moderne. Në vitin 2021, Dacia prezantoi logon më të fundit dhe në të njëjtën kohë më moderne, në formën e dy shkronjave C.
Në 19 vitet e fundit, modelet e Dacia filluan të shiten në 44 shtete në të gjithë Evropën. Franca u bë tregu kryesor, e ndjekur nga Italia. Për të dytin vit radhazi, Dacia kryeson listën e markave të shitjes me pakicë në Evropë. Për më tepër, nga viti 2017 e deri më sot, Dacia Sandero është vetura më e shitur në tregun me pakicë në Evropë, ndërsa Duster ishte i dyti vitin e kaluar.
Sot, gama e Dacias përbëhet nga modele të tilla si Spring, Sandero, Sandero Stepway, Duster, Jogger dhe Logan. Të gjitha ato kontribuan në arritjen e shifrës prej 8 milionë veturash të shitura në 19 vjetët e fundit. Por deri tani më i popullarizuari është Sandero (kryesisht versioni Sandero Stepway) me 2.78 milionë vetura të shitura. Pasohet nga Duster me 2.26 milionë dhe Logan me 1.97 milionë të shitura.
Para vitit 2012, Dacia kishte vetëm një fabrikë, atë në Mioven. Aty montohen modele si Logan, Sandero, Sandero Stepway, Duster dhe Jogger, por që nga viti 2012 është inauguruar një fabrikë në Tangier të Marokut, ku prodhohen edhe Logan, Sandero, Sandero Stepway dhe Lodgy. Shtatë vjet më vonë, prodhimi i Logan, Sander dhe Sander Stepway u zgjerua gjithashtu në një fabrikë në Casablanca, Marok.