Auto

Musku premton të investojë me Tesla në Indi

Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka paralajmëruar se “sa më shpejt që të jetë e mundur” do të investojë në Indi, raportoi BBC-ja të mërkurën. Komentet e tij pasuan një takim me kryeministrin indian, Narendra Modi, që ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria indiane tha se e kishte ftuar Muskun për t’i shqyrtuar mundësitë e investimeve në lëvizshmërinë elektrike dhe në sektorin komercial të hapësirës. Miliarderi amerikan tha se po përpiqet të gjejë “kohën e duhur” për të bërë këtë.

Takimi i Mondit me Muskun, që njëkohësisht zotëron Twitterin, erdhi disa ditë pasi bashkëthemeluesi i këtij rrjeti social, Jack Dorsey, e akuzoi Indinë se ka kërcënuar me mbylljen e platformës “për moszbatim të urdhrave të saj për të hequr përmbajtjen nga faqja e internetit”.

“Ne do të bëjmë çmos për të ofruar fjalën më të lirë që është e mundur sipas ligjit”, tha Musk, duke komentuar deklarimet e autoriteteve indiane.

Ai u shpreh se është “tifoz” i kryeministrit Mondi dhe se India “kishte më shumë premtime se çdo vend i madh në botë”.

“Mondi interesohet vërtet për Indinë sepse po na shtyn të bëjmë investime të rëndësishme në Indi, gjë që synojmë të bëjmë. Ne thjesht po përpiqemi të gjejmë kohën e duhur”, tha shefi i Teslas, duke shtuar se kompania e tij e veturave do të jetë gjithsesi në Indi.