Ekonomia evropiane është kryesisht e varur nga industria e automjeteve, e cila po e ka të vështirë të pranojë udhëzimet e reja, shkruan Reuters.
Përfaqësuesit e industrisë evropiane të veturave janë mjaft të ndarë, dhe këtë e tregoi më së miri situata rreth ndalimit të shitjes së veturave të reja me karburant fosile [naftë dhe benzinë] dhe mundësia e futjes së të ashtuquajturave sintetike ose e-karburanteve.
Kur bëhet fjalë për futjen e standardit Euro 7, përshtypja ishte se vendet janë disi më të bashkuara, por kundërshtimi i tyre është edhe më i madh.
Norma dukshëm më të rrepta duhet të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2025 për tregun e veturave dhe kjo pritet të sjellë një rritje drastike të çmimit të veturave si rezultat i instalimit të motorëve më të pastër, pra sistemeve të trajtimit të gazrave të shkarkimit. Prodhues të shumtë kanë njoftuar se veturat do të bëhen aq të shtrenjta sa nuk do të jetë më konkurruese për të prodhuar modele më të vogla për qytete.
Dhe mundësia e reduktimit të prodhimit ishte një kambanë alarmi për qeveritë e vendeve të caktuara. Tani më shumë se tetë vende anëtare të BE-së kanë nënshkruar një dokument të përbashkët që kundërshton “rregullat e reja mbi emetimet e gazrave të shkarkimit”.
Mes tyre nuk është Gjermania, e cila luftoi kaq fort kundër ndalimit të motorëve me benzinë dhe naftë. Franca është tani lidere, e ndjekur nga Italia, Rumania, Bullgaria, Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke. Ata thonë se kjo do të ridrejtojë investimet e planifikuara për dekarbonizim në zona të tjera.
Këto tetë vende kanë përfaqësues të mjaftueshëm për të bllokuar projektligjin në Bruksel.
Carlos Tavares, kreu i Stellantis, ku bën pjesë ish-koncerni PSA, ka theksuar tashmë se futja e standardit Euro 7 do të ketë një ndikim negativ në industrinë evropiane të veturave. Thomas Shaffer i Volkswagenit ka thënë se veturat do të bëhen aq të shtrenjta sa modelet si Polo dhe Fabia do të jenë shumë të shtrenjta dhe për këtë arsye të padisponueshme për klientelën tradicionale.