Auto

Prodhuesi rus i veturave ngrit padinë e tretë kundër Volkswagenit

Prodhuesi rus i automjeteve GAZ, ka ngritur një padi mbi 200 milionë dollarë kundër Volkswagenit gjerman, raportoi të dielën Reuters.

Padia e cila është e treta brenda një muaji nga e njëjta kompani, detajet e së cilës nuk janë publikuar, u depozitua në Gjykatën Rajonale të Arbitrazhit të Nizhny Novgorod të premten.

Në fillim të këtij viti, GAZ-i ngriti dy padi kundër prodhuesit gjerman të veturave dhe kërkoi një total prej rreth 545 milionë dollarë humbje dhe dëme, duke thënë se lëvizjet e VW-së për të dalë nga tregu rus kanë vënë në rrezik interesat e saj.

Fillimisht ky prodhues rus bindi një gjykatë të ngrinte asetet e Volkswagenit në Rusi në pritje të procedurave gjyqësore, por më pas gjykata e anuloi vendimin në prill.

Volkswageni po përgatitet të shesë asetet e tij ruse, duke përfshirë fabrikën kryesore në qytetin e Kaluga që ka kapacitet vjetor prodhimi prej 225,000 automjetesh, por asnjë vendim nuk është marrë dhe miratimi i qeverisë ruse është në pritje.