Prodhuesi italian i veturave luksoze, Ferrari dhe ai gjerman, Porsche, do të përfitojnë nga planet për të përjashtuar veturat që funksionojnë me e-karburant nga plani i Bashkimit Evropian për heqjen e automjeteve me motorë me djegie në vitin 2035, raportoi të martën "Automotive".
"Lajmi i mirë për ne si kompani është se në krye të veturave elektrike, ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë me motorët tanë me djegie të brendshme", ka thënë drejtori ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna. “Ky vendim është shumë interesant për ne sepse lejon që ICE-të të shkojnë përtej vitit 2036”, ka shtuar ai.
Ferrari , i cili është i njohur për motorët e tij të fuqishëm me benzinë, nuk ka ofruar kurrë një udhërrëfyes për të shkuar tërësisht elektrik. Kompania tashmë po prodhon vetura hibride plug-in dhe ka premtuar automjetin e saj të parë plotësisht elektrik për vitin 2025.
Vigna ka thënë se modeli plotësisht elektrik do të ishte veturë unike, por nuk diskutoi asnjë detaj, duke shtuar se "mbajtja e sekretit është pjesë e recetës".
Ai tha se pret që çmimi i e-karburanteve të ulet me zhvillimin e tyre në vitet e ardhshme.
Ferrari planifikon që modelet plotësisht elektrike dhe hibride të përbëjnë 80 për qind të modeleve në gamën e tij deri në vitin 2030, ndërsa 20 për qind do të fuqizohen ende nga motorë me djegie të brendshme.
Bashkimi Evropian dhe Gjermania arritën një marrëveshje të premten, duke lejuar që veturat e reja të fuqizuara nga motorë me djegie të shiten përtej afatit për vitin 2035, nëse ato përdorin e-karburantet neutrale ndaj karbonit. Ministria e Transportit e Gjermanisë kishte bllokuar për javë të tëra planin e BE-së, duke kërkuar një përjashtim për veturat që përdorin e-karburantet.
Grupi Volkswagen ka thënë se marrëveshja e e-karburanteve do të ndihmojë modelet me volum të ulët si vetura sportive Porsche 911.
"Ne e shohim e-karburantet si një shtesë të dobishme për flotën ekzistuese të motorëve me djegie dhe për aplikime të veçanta", tha VW-ja, e cila numëron Porschen ndër markat e saj. "E-karburantet nga energjitë e rinovueshme janë një kontribut për lëvizshmërinë e qëndrueshme - marrëveshja u jep prodhuesve dhe mbi të gjitha konsumatorëve një perspektivë të qartë për planifikim", shtoi prodhuesi i automjeteve.
© KOHA.