Prodhuesi japonez i automjeteve, Toyota, do të rrisë investimin e planifikuar në një fabrikë të re baterish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 1.29 miliardë dollarë në 3.8 miliardë dollarë, si përgjigje të kërkesës së konsumatorëve për automjetet elektrike, ka thënë kompania të mërkurën, shkroi Reuters.
Prodhuesi i baterive “Panasonic” do të jetë partner në fabrikën “Liberty”, në Karolinën e Veriut, përmes sipërmarrjes së saj të përbashkët “Prime Planet Energy & Solutions” me Toyotan, bëri të ditur Norm Bafunno, nënkryetar i lartë i prodhimit dhe inxhinierisë së motorëve në Toyota, në Amerikën e Veriut.
Kur Toyota shpalli investimin fillestar prej 1.29 miliardë dollarë vjeshtën e kaluar, Karolina e Veriut tha se shteti do të rriste rimbursimin për Toyotan me 315 milionë dollarë nëse investimi i kompanisë kalonte tre miliardë dollarë.
“Toyota tani planifikon të shtojë dy linja prodhimi të dedikuara për prodhimin e baterive për automjetet plotësisht elektrike në fabrikën Liberty, përveç katër linjave të planifikuara fillimisht për të prodhuar bateri më të vogla për automjetet hibride si Toyota Prius”, tha Bafunno.