Auto

Vetura vetëdrejtuese e Teslas nuk identifikon fëmijët në rrugë

Descriptive Text

Një grup mbrojtës i teknologjisë së sigurt paralajmëroi të martën se softueri vetëdrejtues i Teslas përbën një kërcënim potencialisht vdekjeprurës për këmbësorët fëmijë, si goditjen e fundit ndaj prodhuesit të veturave elektrike në një seri pretendimesh dhe hetimesh mbi teknologjinë që përdor, shkruan The Guardian.

Sipas një testi sigurie të kryer nga Dawn Project, versioni më i fundit i softuerit të Teslas goditi në mënyrë të përsëritur një manekin të palëvizshëm, në madhësinë e fëmijës, në rrugë. Pretendimet se teknologjia me sa duket ka probleme me identifikimin e fëmijëve, janë pjesë e një fushate reklamuese që i kërkon publikut të bëjë presion ndaj Kongresit për të ndaluar teknologjinë e vetëdrejtimit të Teslas.

Në disa teste, një shofer profesionist testues zbuloi se softueri - i lëshuar në qershor - nuk arriti të identifikonte figurën e madhësisë së një fëmije me një shpejtësi mesatare prej 40 km/h dhe vetura më pas goditi manekinin. Themeluesi i Dawn Project, Dan O'Dowd, i quajti rezultatet "thellësisht shqetësuese".

“Shefi i kompanisë Elon Musk thotë se softueri i Teslas për vetëdrejtim është i mahnitshëm", shtoi O'Dowd. "Nuk është. Është një kërcënim vdekjeprurës për të gjithë amerikanët”.

“Mbi 100 mijë shoferë Tesla po përdorin tashmë modalitetin e vetëdrejtimit në rrugët publike, duke i vënë fëmijët në rrezik të madh në komunitetet në të gjithë vendin”.

O'Dowd argumentoi se rezultatet e testit tregojnë nevojën për të ndaluar veturat vetëdrejtuese derisa Tesla të provojë se automjetet "nuk do të shkelin fëmijët në vendkalime".

Tesla i është kundërpërgjigjur vazhdimisht pretendimeve se teknologjia e saj e vetëdrejtimit është shumë e pazhvilluar për të garantuar sigurinë e pasagjerëve të veturës ose kalimtarëve në rrugë.