Auto

Elon Musk përmend për herë të parë mundësinë e falimentimit të Teslas

Tesla po përballet me miliarda dollarë humbje nga fabrikat e saj të reja, problemet e zinxhirit të furnizimit dhe bllokimet si pasojë e COVID-19. Kjo ka bërë që themeluesi i saj, miliarderi Elon Musk të përmend mundësinë e falimentimit në një intervistë të fundit.

"Dy vitet e fundit kanë qenë një makth absolut i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, njëra pas tjetrës," tha Musk në një intervistë me një grup pronarësh të Teslas.

"Ne nuk kemi mbaruar ende. Shqetësimi ynë është se si t'i mbajmë fabrikat në funksion në mënyrë që të mund të paguajmë njerëzit dhe të mos falimentojmë”, ka shtuar ai.

Mirëpo ai ka thënë se kompania po i afrohet fundit të tremujorit të saj më të vështirë, financiarisht, në më shumë se dy vjet.

Fabrika e Teslas në Shangai u mbyll për javë të tëra për shkak të bllokimeve të lidhura me COVID-19 në qytet. Dhe Musk zbuloi në intervistë se dy fabrikat e Tesla-s të hapura në tremujorin e parë, në Gjermani dhe Teksas, po i kushtojnë kompanisë miliarda dollarë humbje, sepse problemet e zinxhirit të furnizimit i kanë lënë ato me prodhim "të vogël" deri tani.

"E gjithë kjo do të rregullohet shumë shpejt”, tha ai në komentet e regjistruara më 31 maj, por të cilat nuk u publikuan deri të mërkurën vonë.