Auto

SHBA-ja pranon mbi 750 ankesa për frenim të veturës Tesla papritmas

Më shumë se 750 pronarë të Tesla-s janë ankuar tek rregullatorët e sigurisë në SHBA se veturat që operojnë në sistemet pjesërisht të automatizuara të drejtimit, janë ndalur papritmas në rrugë.

Administrata Kombëtare e Sigurisë në Trafikun e Autostradave zbuloi numrin në një letër të detajuar të kërkesës për informacion drejtuar Tesla-s, e cila u postua të premten në faqen e internetit të agjencisë, shkruan Associated Press të shtunën.

Letra prej 14 faqesh i kërkon prodhuesit të automjeteve të gjitha raportet e konsumatorëve që ka marrë për frenim të papritur, si dhe raportet për përplasje, lëndime, vdekje dhe pretendime për dëme materiale. Ajo gjithashtu ka kërkuar të dijë nëse "Full Self Driving" dhe sistemet automatike të frenimit emergjent të kompanisë ishin aktive në momentin e ndonjë incidenti.

Agjencia filloi hetimin e frenimit fantazmë në Modelet 3 dhe Y të Tesla-s shkurtin e kaluar pasi mori 354 ankesa. Në shkurt, agjencia tha se nuk kishte raporte për aksidente apo lëndime.

Letra i jep Teslës një afat deri më 20 qershor për t'iu përgjigjur kërkesës për informacion, por thotë se kompania mund të kërkojë një zgjatje.