Auto

Vitin e shkuar u shitën 6.6 milionë vetura elektrike

Foto: Reuters

Shitjet e veturave elektrike në botë, duke përfshirë ato plotësisht të elektrizuara dhe plug-in hibride, u dyfishuan në vitin 2021, duke arritur rekord prej 6.6 milionë, sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) "Përmbledhje e Tregut Global të Automjeteve Elektrike".

Kinës i takoi gjysma e këtij tregu, meqë u shiten 3.3 milionë njësi, ndërsa shitjet në Evropë u rritën me 65%, duke shkuar në 2.3 milionë vitin e kaluar, raportoi agjencia AA.

Numri i përgjithshëm i veturave elektrike në botë deri në fund të vitit 2021 shkoi në 16.5 milionë njësi.

Rritja e madhe e shitjeve vitin e kaluar i atribuohet politikës së vazhdueshme të subvencioneve "në shumë tregje, ku shuma totale e stimujve shtetërorë u dyfishua në pothuajse 30 miliardë dollarë", tha IEA-ja në raport.

Në përputhje me politikat mjedisore, një numër në rritje vendesh kanë objektiva ambicioze për elektrifikimin e automjeteve në dekadat e ardhshme dhe shumë kompani makinash po planifikojnë investime të mëdha për një kalim të plotë në prodhimin e makinave elektrike.

“Pavarësisht rritjes së shitjeve, në një afat të shkurtër, pengesat më të mëdha për vazhdimin e shitjeve të forta të automjeteve elektrike besohet se do të jenë rritja e çmimeve të disa mineraleve kryesore të nevojshme për prodhimin e baterive, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe mbyllja afatgjatë e disa pjesëve të Kinës si pasojë e COVID-19", thuhet në raportin e IEA-s.

Në planin afatgjatë, nevojiten përpjekje më të mëdha për të zhvilluar një infrastrukturë të mjaftueshme karikimi për automjetet elektrike për të përmbushur rritjen e pritshme të shitjeve, konkludohet në raportin e agjencisë ndërkombëtare. /autoblog