Auto

Volkswageni rrit planin e investimit për veturat elektrike në Spanjë në 10 miliardë euro

Prodhuesi gjerman i veturave, Volkswagen, do të investojë 10 miliardë euro për të prodhuar vetura elektrike në Spanjë, ka thënë drejtori ekzekutiv, Herbert Diess, raportoi “Automotive” të hënën.

Ky investim është tre miliardë euro më shumë sesa është menduar më parë.

VW-ja njoftoi gjithashtu për një marrëveshje partneriteti me ndërmarrjen më të madhe të energjisë elektrike në Spanjë, Iberdrola, e cila do të ndërtojë park diellor për të furnizuar pjesërisht një fabrikë të baterive në komunën e Saguntos pranë Valencias.

Kompania gjermane ka njoftuar gjatë muajit mars se do të investojë shtatë miliardë euro për të ndërtuar një fabrikë baterish dhe për të prodhuar vetura elektrike në dy fabrikat e saj në Spanjë, por Diess ka njoftuar se kjo shifër është rritur në 10 miliardë me partnerë të rinj në bord.

“Plani është të krijohet një ekosistem i plotë furnizuesish nga nxjerrja e litiumit deri te montimi i baterive", ka thënë Diess në një ngjarje në Sagunto, fundjavën që shkoi.

VW-ja synon të fillojë ndërtimin e impiantit 40 gigavatësh për orë (GWh) në tremujorin e parë të vitit 2023, me prodhimin serik të planifikuar të fillojë më së largu në vitin 2026.