Auto

BMW-ja njoftoi për rritje të fitimit falë sipërmarrjes së përbashkët kineze e çmimeve të larta

Gjiganti i veturave, BMW, njoftoi të enjten rritje të fitimit në tremujorin e parë të vitit, e nxitur nga një rivlerësim i aksioneve të prodhuesit gjerman të veturave në sipërmarrjen e saj të përbashkët kineze dhe çmimet e larta, dhe ruajti perspektivën e saj për vitin 2022, pavarësisht çmimeve të paqëndrueshme për mallrat dhe energjinë, shkruan Reuters.

BMW-ja ka thënë se rivlerësimi i aksioneve të saj ekzistuese në sipërmarrjen e saj të përbashkët me Brilliance Auto Group kishte rezultuar në një fitim paraprak prej 7.7 miliardë euro.

Në shkurt, BMW-ja ka thënë se do të paguante 3.7 miliardë euro për të marrë kontrollin e shumicës së sipërmarrjes së saj të përbashkët kineze, pasi kishte siguruar licencën e nevojshme nga Pekini.

Duke hequr ndikimin e aksioneve të saj në sipërmarrjen e përbashkët, BMW njoftoi një rritje prej 16.3% në të ardhurat për tremujorin, pavarësisht një rënie prej 6.2% në shitjet e veturave për shkak të çmimeve më të larta.

Industria e automjeteve është goditur nga një sërë problemesh të zinxhirit të furnizimit të lidhura me pandeminë, veçanërisht nga mungesa globale e gjysmëpërçuesve.

Prodhuesit e veturave si BMW-ja janë përqendruar në prodhimin e automjeteve me marzh më të lartë dhe mungesa e furnizimit ka rritur çmimet për veturat e reja dhe të përdorura.

Kompania raportoi një fitim neto prej 10.2 miliardë euro kundrejt 2.8 miliardë eurove një vit më parë. Duke përjashtuar ndikimin e aksioneve, BMW-ja realizoi një fitim operativ prej 3.4 miliardë euro, nga 3 miliardë euro një vit më parë.