Auto

Rolls-Royce po karakterizohet nga blerës të rinj

Në kohën kur marka e veturave Rolls-Royce ka njoftuar se gjatë vitit 2021, ka thyer rekordin e shitjes, me 5,600 vetura në mbarë botën, kompania po ashtu ka dhënë edhe një detaj tjetër interesant për klientët e saj.

Rolls-Royce ka bërë të ditur se mosha mesatare e blerësve të veturave të saj është vetëm 43 vjeç.

“Kjo nënkupton se shumë blerës janë edhe më të rinj se aq, të tillë në vitet e 20-ta ose 30-ta”, është bërë e ditur.

Pak marka të tjera të makinave kanë një moshë mesatare të blerësve aq të ulët sa ajo e Rolls-Royce. Rolls-Royce është në pronësi të BMW, e cila gjithashtu zotëron markën britanike Mini. Mosha mesatare e një blerësi Mini në SHBA është 52, sipas BMË, dhe rreth 55 për vetë markën BMW.

Të dhënat e mbledhura nga firma konsulente IHS Markit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021 tregojnë se Rolls-Royce kishte një përqindje më të lartë blerësish nën moshën 45 vjeç sesa shumë marka të tjera luksoze dhe ekzotike, duke përfshirë Mercedes-Benz, Audi, Lexus dhe madje edhe Lamborghini.

Sipas analizave, njerëzit në tregun e synuar të Rolls-Royce - njerëzit me para të mjaftueshme për të shpenzuar një të tretën deri në gjysmë milioni dollarë për një makinë, janë mesatarisht më të rinj se ata që janë thjesht të pasur. Sondazhet e fundit nga Spectrem Group, një firmë konsulence, tregojnë se njerëzit me pasuri neto midis 1 dhe 25 milionë dollarë janë mesatarisht rreth 62 vjeç. Ata me një vlerë neto mbi 25 milionë dollarë janë mesatarisht 48 vjeç.