Lamborghini kohët e fundit ringjalli emrin legjendar Countach duke prezantuar pasardhësin modern të tij dhe ndërsa bota ende e admiron atë, prodhuesi italian nuk ndalet.
Të gjitha njësitë e planifikuara të Countachit tashmë janë shitur dhe Lamborghini po i kthehet edhe një herë të kaluarës së tij të lavdishme duke paralajmëruar diçka shumë emocionuese.
Videoklipi “misterioz”, pak më i gjatë se një minutë, tregon detajet nga brendësia e veturës, të cilat do të përfaqësojnë një ringjallje tjetër të klasikes.
Duket se bëhet fjalë për një prototip LP500, një model që u shfaq në Panairin e Gjenevës më 1971. Ulëset që shfaqen në klip korrespondojnë me këtë model.
Është e mundur që Lamborghini ka rikrijuar prototipin ose të ketë bërë një version të veçantë të Countachit.
Kompania ka njoftuar më parë se do të prodhojë vetëm 112 kopje të Countachit të ri. Disa besojnë se video lë të kuptohet se bëhet fjalë për një Miura klasike, një model i Lamborghinit që nisi të prodhohet më 1966.
"50 vjet më parë, ai bëri rrugën drejt së ardhmes. Tani ai është përsëri në rrugë", është mesazhi i vënë në klip nga kompania italiane.
Kjo dëshmon edhe një herë se bëhet fjalë për LP500, që këtë vit feston 50-vjetorin.
Pavarësisht se për çfarë befasie bëhet fjalë, vjen në një kohë kur prodhuesit italianë të veturave ekzotike po luftojnë me realitetin e rregulloreve gjithnjë e më të rrepta për eliminimin e motorëve me djegie të brendshme.
Kalimi në një ofertë plotësisht elektrike është shumë më i vështirë dhe më sfidues për Lamborghinin dhe Ferrarin sesa për disa marka të tjera.
Sidoqoftë, klipi i postuar tregon se motori konvencional i Lamborghinit vazhdon të jetojë, të paktën tash për tash. \autoblog