Auto

Shefi i Applet paralajmëron veturën e parë të kompanisë

Tim Cook, shefi i gjigantit teknologjik, Apple, ka dhënë paralajmërime për drejtimin e veturës së shumëpërfolur të kësaj kompanie, duke përfshirë teknologjinë e ngasjes autonome që do të jetë veçoria kyçe.

“Autonomia është teknologjia bërthamë, në pikëpamjen time”, ka thënë Cook në një intervistë për “Sway”. “Nëse ktheni kohën prapa dhe shikoni në shumë mënyra, vetura është një robot. Një veturë autonome është robot. Dhe ka shumë gjëra që mund të bësh me autonomi. Dhe do të shohim çfarë do të bëjë Apple”.

Cook nuk ka dhënë shumë detaje duke refuzuar të tregojë për planet e prodhimit të veturës. Megjithatë, ai ka thënë se kompanisë i pëlqen integrimi i harduerëve, softuerëve dhe shërbimeve.

Më herët gjatë vitit, mediat amerikane raportuan se Apple po përfundon një marrëveshje me Hyundain dhe Kian për të prodhuar një veturë të brendit Apple në një fabrikë në Georgia.

Ende s’është e qartë se si do të duket vetura e gjigantit teknologjik, por pritet që ai të rivalizojë Teslan.