Auto

Porsche rrit aksionet në kompaninë kroate Rimac

Këshilli mbikëqyrës i Porsches ka dhënë dritën jeshile për rritje të aksioneve të kësaj kompanie në kompaninë kroate të veturave Rimac.

Përqindja e aksioneve e Porsches në kompaninë kroate është rritur nga 15 në 24.

Kompania Rimac është përqendruar në zhvillimin e teknologjisë së lartë për vetura elektrike. Po ashtu prodhon edhe vetura sportive elektrike.

Kompania gjermane nisi investimin te Rimac më 2018, më pas më 2019 bleu edhe disa aksione për t’i çuar në 15 dhe tash së fundi në 24.

Kompania gjermane ka investuar 70 milionë euro për blerjen e 9 për qind të aksioneve të fundit.

“Rimac është i pozicionuar mirë kur është në pyetje zgjidhja për prototipe dhe seri të vogla. Mate Rimac dhe ekipi i tij janë partnerë të rëndësishëm. Rimac është në rrugë për të qenë eksportues kryesor për Porischen”, ka thënë zyrtari i Porsches, Lutz Meschke.

Mate Rimac themeloi kompaninë më 2009, kur ishte vetëm 21 vjeç. Selia e kompanisë është në afërsi të Zagrebit dhe të punësuar janë mbi 1000 punëtorë. Rimac dizajnon dhe prodhon vetura elektrike që arrijnë 2000 kuaj fuqi dhe shpejtësi deri në 400 km\h.

Kompania po ashtu u shet të tjerëve teknologji dhe sisteme për veturat elektrike. \ motor1.com