Auto

Veturat, COVID-19 dhe anulimet: Bota e automobilizmit më 2020

Bota e automobilizmit në vitin 2020 ishte e pazakontë, sikurse gjithçka tjetër. Prodhuesit u kujdesën që t’i shtojnë modelet miqësore me mjedisin, ndërsa u legalizua edhe vetura fluturuese

“Mercedes-Benzi” shpalosi veturën koncept të inspiruar nga filmi fanta-shkencë “Avatar” në fillim të 2020-s, në panairin e teknologjisë në Las Vegas. “AVTR”, që u shpalos në “CES” në muajin janar, u dizajnua me ndihmën e regjisorit të “Avatarit”, James Cameron, dhe kishte për qëllim të ishte sa më miqësor me mjedisin.

“Mercedes-Benzi” kishte thënë se vetura vjen me bateri tërësisht të riciklueshme që bazohet në qeliza organike, duke hequr qafe nevojën që të varet nga mineralet si nikeli ose kobalti.

“Imagjinojeni një veturë që ofron tërësisht eksperiencë të re, e cila kombinon filozofinë e dizajnit të brendshëm me përpjekjet e jashtme për të lidhur pasagjerët me ambientin”, kishte thënë në prezantim, shefi i “Daimler AG”, Ola Kallenius.

Brendi elektronik nga Japonia, “Sony” në “Consumer Electronics Show” bëri një prezantim befasues, duke lansuar një koncept të ri elektrik, për të cilin kompania besonte se do t’i revolucionarizonte ngasjen dhe argëtimin. Dizajni i veçantë i prototipit “Vision-S” u përshtat me 33 sensorë që monitorojnë ambientin përreth, por edhe brendinë e veturës.

Vetura autonome e “Audit” po i bartte njerëzit me vetëngasje nëpër këtë panair.

Ndër tjerash, aty erdhi një pajisje e cila ndal rrezet e diellit për të bërë ngasjen më të sigurt në vitet e ardhshme. Kompania gjermane e inxhinierisë, “Bosch” krijoi “maskën virtuale” që përdor teknologjinë e përcjelljes së syve për të reduktuar rrezet e diellit që bien në shofer, përderisa kujdeset që ngasësi të mos ketë fare pengesa në shikim.

Larg nga Las Vegasi, gjiganti japonez “Toyota” shfaqi gjeneratën e dytë të veturës që funksionon me hidrogjen. Prezantimi u bë në Holandë.

“Mirai” tërësisht i ri mund të kalojë deri në 650 kilometra pa rimbushje, por ka pengesa për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për ngasjen me hidrogjen.

Rënia që e pasoi një vit të nisur mbarë

Image

Në muajin shkurt, shitjet e veturave SUV po shpërthenin në Indi, kryesisht falë panairit më të madh të veturave në vend “Auto Expo 2020”. Aty kishte numër enorm të vizitorëve, pavarësisht mungesës së disa prej prodhuesve kryesorë të automobilave. Por shitjet e veturave shënuan rënie për më shumë se 16 për qind mes muajve prill dhe dhjetor, sipas Shoqatës së Prodhuesve Indianë të Veturave.

“Kërkesat pësuan rënie të vazhdueshme për arsye ekonomike. Për shkak të rritjes së Bruto Produktit të Brendshëm, me klientët që s’ishin shumë të lumtur me blerjet”, ka shpjeguar Manohar Bhat, shef i shitjes dhe marketingut në “Kia Motors India”.

Në Francë, prodhuesi i njohur “Citrown” shpalosi një veturë të re elektrike me vetëm dy ulëse, për të cilën kompania vlerësoi se do të bëjë revolucion se si do të funksionojë trafiku nëpër qytete. Vetura është e vogël, nën tri metra e gjatë, por ka pasur gjithmonë pikëpyetje për distancën që mund të kalojë me një bateri, dhe për kohën e kërkuar për mbushje të baterisë.

Në Belgjikë, qyteti Ghent me sukses iu përshtat zgjidhjeve mjedisore për të transformuar qytetin antik, duke e bërë pa vetura fare. Pika kryesore e planit është në idenë e ridrejtimit të trafikut larg qendrës historike, një hapësirë me rreth 120 mijë banorë.

“Nuk po e heqim qafe trafikun. Dhe tani kemi një qytet më të sigurt, më të shëndetshëm, një qytet me më shumë kualitet jete”, kishte thënë zëvendëskryetari i Ghentit, Filip Watteeuw.

Në Zvicër, panairi ndërkombëtar i Gjenevës, “Geneva International Motor Show 2020” u anulua për shkak se Qeveria zvicerane ndaloi të gjitha ngjarjet e mëdha për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Më 2020, panairi ishte paraparë të mbahej mes 5 dhe 15 marsit. Ngjarja pritej të gjeneronte 200 deri 250 milionë franga zvicerane në të gjithë rajonin e Gjenevës.

“Mendoj se do të ketë ndikim në panairet e ardhshme, sepse industria tashmë ka nisur të lëvizë ngadalë dhe të digjitalizojë panairet”, kishte paralajmëruar Steve Fowler, kryeredaktor i revistës prestigjioze “Auto Express”.

“Peugeot 208” u zgjodh “Vetura e Vitit” në një version virtual të ceremonisë së përvitshme të çmimeve.

Çmimi prestigjioz u prezantua në një dhomë të zbrazët, pas anulimit të panairit të Gjenevës.

Prodhuesit e veturave organizuan një mori ngjarjesh nëpër internet për të zëvendësuar prezantimet e anuluara në panair. Prodhuesi gjerman “BMW” debutoi një koncept tërësisht elektrik “i4”, për të cilin premton se mund të kalojë distancën 600 kilometra me një mbushje dhe shfaqi një pjesë të veturës që pritet të hyjë në prodhim më 2021.

“Mercedes-Benz” shpalosi modelin e fundit të linjës “E-Class” dhe modelet e tjera hibride me rrymë.

Duke u bazuar në rëndësinë e të qëndruarit në shtëpi për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit, inspiroi një kompani indiane që të prodhojë një veturë të re. Vetura sferike ngjante me virusin COVID-19. Shpikësi Sudhakar Yadav planifikonte ta drejtonte veturën e tij përreth qytetit të Hyderabadit, duke paralajmëruar qytetarët për rreziqet e mosrespektimit të distancës sociale.

Në muajin prill, qyteti kinez i Wuhanit, që konsiderohet epiqendra e pandemisë së koronavirusit, i dha fund izolimit 76-ditor. Aty, fabrika e “Hondas” iu rikthye punës me prodhim më të madh, por me rregulla strikte për të parandaluar shpërndarjen e virusit.

Një muaj më vonë, prodhuesi i veturave luksoze “Lamborghini” rihapi fabrikën e vet në rajonin Emilia-Romagna të Italisë me masa të reja sigurie, për moslejimin e shpërndarjes së COVID-19. Fabrika kishte qenë e mbyllur nga 12 marsi, por mori lejen për rihapje pas vendimit të Qeverisë italiane.

“Në çdo pozitë të fabrikës janë dy njerëz që punojnë dhe mbajnë distancën prej së paku një metër, siç edhe kërkohet nga ligji”, kishte thënë asokohe shefi i “Lamborghinit”, Stefano Domenicali.

Veturat e veçanta, luksoze dhe pa shoferë

Image

Në korrik, inxhinierët rusë po testonin veturat pa shoferë nëpër rrugët e Shën Petersburgut. Veturat mund të ecnin në rrugë, duke shmangur këmbësorët dhe pengesat e tjera potenciale, pa pasur nevojë për intervenim të njerëzve.

Në Japoni, “Nissani” shpalosi veturën e re elektrike, modelin e parë të madh qëkur kompania u mbërthye nga skandali i madh me ish-kryeshefin e kompanisë, Carlos Ghosn. Në premierën botërore në Yokohama, vetura e re “Ariya” parashikohej si “kapitull i ri” për kompaninë.

Në korrik, një mjeshtër në Rusi krijoi veturën e tij “Kabrio” që ngjante me “Fordin” legjendar “Model T”. Katërrrotëshi i thjeshtë kushtonte rreth 700 dollarë dhe fitoi edhe çmime në Rusi.

Prodhuesit e shumtë të veturave luksoze në shtator u fokusuan në tregun kinez për të nxitur rritjen e shitjes. Në panairin e mbajtur në Pekin, të gjithë prodhuesit e mëdhenj po shfaqnin vetura që ngërthenin teknologjitë më të reja.

Në tetor, një kompani holandeze njoftoi se “vetura e saj fluturuese” kishte marrë statusin legal për ngasje në rrugë, dhe kjo ishte hera e parë që një gjë e tillë kishte ndodhur.

Prodhuesit e saj deklaronin se do të nisnin shitjet e modelit me dy ulëse, e çmim 400-mijë eurosh që nga viti 2022. “Rregullat e rrugëve dhe fluturimeve nuk ishin ndërlidhur kurrë bashkë për të funksionuar për një veturë. Andaj, ekuacioni i përshtatjes së të dy rregulloreve është tejet enigmatik”, kishte thënë Robert Dingemanse, shef dhe themelues i kompanisë holandeze “PAL-V”.

Në dhjetor, në Mbretërinë e Bashkuar u hap fabrika e parë e dedikuar për prodhimin e veturave dhe mbushjeve elektrike, në periferi të Londrës.

“Për të ofruar përvojën më të mirë të mundshme për veturat elektrike, padyshim që duhet nisur gjithçka nga një fletë e bardhë e pastër”, ka thënë Toddington Harper, themelues i “Gridserve”, kompanisë prapa projektit. “Gridserve” ka njoftuar se fabrika e saj do të jetë hapësira e parë e prodhimit të qindra modeleve elektrike në pesë vjetët e ardhshëm. Ky konsiderohet lajm i mirë për Britaninë, duke marrë parasysh se tashmë vendi ka vendosur që të ndalojë shitjen e veturave me djegie nga viti 2030.

Përgatiti: Endrit Berisha