Auto

Musk: Apple refuzoi të blinte Teslan

Foto: Reuters

Themeluesi i Teslas, Elon Musk, ka thënë se shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, kishte refuzuar bisedimet për ta blerë kompaninë e veturave elektrike më 2017.

Në një reagim në Twitter, Musk kishte thënë se i kishte shkruar shefit të Apple-it në kohën kur kompania e tij po përjetonte “ditët më të errëta”.

Atë kohë, vlera e Teslas ishte rreth 60 miliardë dollarë, ndërsa tash është rritur gati dhjetë herë.

Musk ka thënë se planifikonte të diskutonte për shitjen potenciale të Teslas te Apple pasi po ngecte financiarisht me prodhimin e veturës elektrike “Model 3”.

Gjithsesi, “Tesla” ka tejkaluar problemet dhe është ngritur dukshëm në vlerë. Javën e fundit, ajo u bë një nga kompanitë më të vlefshme në botë pas përfshirjes në indeksin e aksioneve “S&P 500”.

Në anën tjetër, Apple ka shfaqur tashmë ambiciet për të prodhuar veturë elektrike dhe ka punësuar një numër ish-zyrtarësh të Teslas. Raportimet se Apple po punon në vetura autonome kanë nxitur Muskun të shkruajë për përpjekjen që t’ia shiste kompaninë Cookut më 2017.

“Ai refuzoi të dilte në takim”, ka shkruar ai në Twitter.

Tesla është rritur shumë, por ende është vetëm sa një e treta e vlerës së Apple-it.