Auto

General Motorsi tërheq mbi 68 mijë automjete elektrike

Gjiganti amerikan General Motors ka bërë të ditur të premten se do të tërheqë 68,677 automjete elektrike që paraqesin rrezik nga shpërthimi i zjarrit.

Reuters shkruan se ky vendim ka ardhur pas pesë rasteve me shpërthim të zjarrit, me dy prej tyre që kanë shkaktuar lëndime të lehta, transmeton KOHA.

Prodhuesi i veturave nga Detroiti ka thënë se do të tërheqë modelin e vitit 2017-19, Chevrolet Bolt EV me volt të lartë të baterisë që është prodhuar në fabrikën koreane, LG Chem Ochang.

Administrata Kombëtare e Sigurisë në Trafik të Autostradave muajin e kaluar kishte nisur hetimet pas raportimeve se tre vetura Bolts ishin përfshirë nga zjarri në sediljen e pasme ndërsa ishin të parkuara dhe e pambikëqyrura.

General Motorsi ka thënë se automjetet mund të paraqesin rrezik për shpërthim të zjarrit kur janë të karikuara plotësisht, apo pothuajse në kapacitetin e plotë.

GM ka bërë të ditur se ka zhvilluar një softuer për të limituar karikimin e veturës deri në 90 për qind, për të parandaluar rrezikun.