Auto

Eliminimi i “ankthit të distancës” shton shitjen e veturave elektrike

Angli-Francë, nëntor (Reuters) – Steve Tomlin, udhëheqës i një dege të shitjes së “Renaultit” në Britani të Madhe, thotë se shitjet e automobilit të vogël elektrik “Zoe” janë rritur sivjet. Sipas tij, shkak është heqja e “ankthit të distancës”, apo frikës se automobili do t’i lërë në mes të rrugës. Modeli, që zë rreth një të tretën e shitjeve të Tomlinit për disa muaj sivjet, ka mundësinë që të kalojë distancën prej 400 kilometrash me një mbushje të baterisë. Për dallim nga modeli i shkuar, që u shit shumë më pak, ofronte 300 kilometra distancë kur ishte tërësisht i mbushur. “Ankthi për distancë është hequr dhe sapo u kemi shpjeguar se sa e lehtë është të jetosh ditë për ditë me një veturë elektrike kemi parë ndikim të madh në shitje”, ka thënë Tomlin, menaxher i përgjithshëm në “Martins Renault & Dacia” në Reading, rreth 65 kilometra në perëndim të Londrës. “Renaulti” i ka thënë “Reutersit” se shitjet e modelit “Zoe” në Britani janë rritur më shumë se dyfish këtë vit, dhe se në Francë automobilat me zero emetim të karbonit kanë tejkaluar shitjet e modeleve dizelë sivjet, deri në fund të shtatorit – 19 për qind përkundër 18 për qind – një e arritur historike.

Kostoja

Kompania ka njoftuar se ka trajnuar 30 mijë persona staf në Evropë për teknologjinë e veturave elektrike. “Në fillim, po përballeshim me një barrierë psikologjike që lidhet me autonominë: oh la la, a do të kem telashe, nuk kam më rrymë”, ka thënë Denis le Vot, shef i shitjeve të “Renaultit”. “I kemi mësuar mirë këto”. Ka ende rrugë të gjatë përpara dhe distanca e trajnimi i stafit s’janë të mjaftueshme. Kosto e lartë e baterive dhe mungesa e prodhimit në masë nënkupton që veturat elektrike (EV) janë ende shumë më të shtrenjta se ato tradicionale – për rreth 20-30 për qind. “Renaulti” dhe prodhues të tjerë edhe më tej varen nga ndihmat nga Qeveria, por një ndihmë e tillë s’është e njëjtë gjithandej Evropës. Kostot e baterive, gjithsesi, pritet të bien më tej. Sipas ekspertëve të industrisë, kjo nënkupton që disa vetura elektrike do të kushtojnë njëjtë apo më pak se veturat tradicionale deri kah mesi i dekadës. “Kompania e parë që arrin qëllimin – një veturë elektrike e përshtatshme për çmim, dhe pa ndihma – do të fitojë një avantazh të madh në mesin e konkurrentëve”, kishte thënë kompania konsulente “Bain & Company” në një raport të 29 tetorit. Deri atëherë, prodhuesve u duhet t’i mbajnë shitjet e veturave elektrike dhe të rrisin prodhimin, por të shmangin humbjen e financave përderisa vazhdojnë të shesin në nivel të ulët. “Renaulti” ka thënë se përpjekjet e kompanisë bazohen në shfrytëzimin e ndihmave shtetërore dhe ofrimin e zbritjeve të çmimeve të veturave elektrike, duke instaluar stacione për mbushje falas për klientë, si dhe trajnimin e stafit. Në Francë, ndihmat shtetërore, të kombinuara me zbritjet e ofruara nga “Renaulti”, mund të kursejnë deri 11.500 euro – më shumë se një e treta – e çmimit të “Zoes”, për shembull.

Gara intensive

Krahas presionit financiar dhe sfidave të ndryshimit të sjelljeve të klientëve pas shumë dekadash, gjithsesi, “Renaulti” përballet edhe me rivalitet në një kohë kur të gjithë prodhuesit duhet të shesin më shumë vetura elektrike për t’iu përshtatur limiteve të Bashkimit Evropian për emetim të dyoksidit të karbonit. “Zoe” mund të jetë duke u rritur në shitje, por mbetet larg shitjeve që ka pasur “Tesla Model 3” në botë në pjesën e parë të vitit, ndërsa gara po intensifikohet me investimet e qindra miliarda dollarëve nga “Volkswageni” e deri te “Toyota” për modelet e reja elektrike në tregjet botërore. “Transport & Environment”, një grup që bën fushatë për udhëtim më të pastër, parashikon që tregu i veturave elektrike të trefishohet sivjet në Evropë, pasi zuri 8 për qind të shitjeve të veturave në tregun evropian në gjysmën e parë të vitit. “Ajo që ka ndryshuar sivjet nuk ka të bëjë me subvencionet, por me faktin që prodhuesit kanë investuar dhe kanë përafruar çmimet adekuate me performancat”, ka thënë Julia Poliscanova, drejtoreshë në “Transport & Environment”.

Ndihmat për shitjet

Për të ardhmen e paparashikuar, ndihmat janë vendimtare “Qoftë në Kinë apo kudo tjetër, ende ka nevojë për përkrahje nga Qeveritë për automobilat elektrikë”, ka thënë Terrence Curtin, shef ekzekutiv i “TE Connectivity”, kompani përkrahëse për pjesët e veturave. Norvegjia ka treguar se ndihmat e mëdha për automobilat elektrikë, duke përfshirë uljen e taksave në përgjithësi, ka sjellë sukses sa që një blerës tipik i një veture elektrike “Nissan Leaf” të jetë një burrë me kushte mesatare, mes moshës 30 dhe 50-vjecare, sipas Frode Lehnes nga “Mobile Skoyen AS”, kompani që shet veturat e “Nissanit” në Oslo. Ulf Tore Hekneby, menaxher në “Harald A. Moller”, që importon shumë brende të grupit “Volkswagen” në Norvegji, ka thënë se 91 për qind e veturave të “Audit” dhe 58 për qind të veturave të brendit VW, të shitura në Norvegji sivjet deri në shtator, ishin elektrike. Disa nga qeveritë në Evropë janë duke ngritur zotimet e tyre. Gjermania, për shembull, ka dyfishuar ndihmën e vet për veturat elektrike, deri në 6000 euro në verë si pjesë e planit rikuperues për industrinë e automobilizmit, të goditur rëndë nga pandemia. Në anën tjetër, Franca ka rritur ndihmën në 7000 euro nga 6000 sa ishte. Por është më e vështirë në tregjet e tjera evropiane me më pak subvencione apo ku të hyrat janë më të ulëta. Shitjet në shtetet baltike kanë përjetuar rënie, sepse shtetet s’ofrojnë ndihma, ose se ndihmat e ofruara s’kanë qenë të mjaftueshme për të bërë që një veturë elektrike të ketë çmim të përshtatshëm, sipas Heknebyt të “Harald A. Mollerit”. Një total prej 191 veturash elektrike u shitën në industrinë në Letoni, Lituani e Estoni, gjatë tremujorit të dytë, për dallim nga më shumë se 12 mijë sa u shitën në Norvegji, edhe pse shtetet baltike, të kombinuara, kanë më shumë popullatë se Norvegjia. “Kërkesa është afër zeros”, ka thënë Hekneby.

Përgatiti: Endrit Berisha