Auto

“Tesla” dhe shkenca prapa gjeneratës së re të baterive

E ardhmja e industrisë së automobilizmit mund të përjetojë ndryshimin e madh me vetëm një fjalë. Bëhet fjalë për ndryshimin nga bateritë litium-jon, që gjenden në veturat e sotme elektrike të prodhuara nga “Tesla” dhe të tjerët, dhe bateritë me litium-hekur që pritet të vijnë së shpejti në treg.

Me “Teslan” e Elon Muskut, që po flet për zhvillimin e teknologjisë së re të baterive, “Wall Street” është duke u zier se çfarë ndryshimesh do të sjellë gjenerata e re e baterive, transmeton KOHA.

Veturat me bateritë litium-jon, që përdoren edhe nëpër telefona, pritet të lëshojnë rrugë në vitet në vijim për veturat dhe kamionët e përbërë me fosfatet litium-hekur dhe kimikate të tjera. Kjo do të reduktojë shpenzimet e do të zgjerojë distancën që mund të kalohet mes mbushjeve për 650 kilometra apo edhe më shumë, duke ua mundësuar veturave të ecin deri në një milion milje (1.6 milionë kilometra).

Reduktimi i kostos së vetë “Teslas” dhe pranimi në masë i veturave elektrike janë prioritetet kyç për kompaninë, bazuar në një mesazh në fillim të javës së parë të korrikut, duke thënë se do të jetë sfidë që duhet të thyhet.

Ndryshimi

Teknologjia e re do të ndryshojë përvojën e të pasurit një veturë, qoftë e “Teslas” apo e rivalëve si “General Motors”, që po ashtu po punojnë për teknologjitë e reja të baterive, kanë thënë analistët. Në veçanti, bateritë me jetëgjatësi ekstreme që pritet të godasin shpejt tregun nënkupton se bateritë do të ruajnë vlerën mjaftueshëm kur pronarët duan t’i rishesin automobilat e tyre.

“Nëse po flasim për bateritë që mund të jetojnë dyfish më gjatë për të njëjtin çmim, është diçka që ndryshon tërësisht matematikën për klientin”, ka thënë Dan Ives, analist në “Wedbush Securities”. “Bateritë me fosfate të hekurit janë më të sigurta dhe mund të shfrytëzohen si jetë e dytë edhe për rezerva elektriciteti”. Musk së fundmi deklaroi se “Dita e Baterisë” pritet të mbahet në shtator. Fillimisht kjo ditë dhe takimi i aksionarëve ishin planifikuar për qershor.

“Duam ta ruajmë lajmin e gëzueshëm për atë ditë, por do të ketë shumë lajme të gëzuara për t’u treguar”, kishte thënë Musk në njoftimin e kompanisë për të hyrat në tremujorin e parë të vitit. “Mendoj se do të jetë një nga ditët më të mëdha në historinë e ‘Teslas’”.

Kompania nuk ka komentuar raportimet, ndërsa një këshillues i “Teslas”, Jeff Dahn, profesor në Universitetin “Dalhouse” në Kanada, ka refuzuar të komentojë.