Auto

VW do të paguajë 237 milionë euro për më pak se një për qind të aksioneve të Audit

Volkswageni do të paguajë 48 për qind premi për të blerë aksionet e aksionarëve të vegjël në gjigantin Audi, ka bërë të ditur kompania gjermane.

VW, që ka nën pronësi 99.64 për qind të Audit, kishte njoftuar për planet për kompletim të aksioneve në muajin shkurt.

“Volkswageni ka njoftuar dhe ka specifikuar se ka arritur marrëveshje për të blerë aksionet e aksionarëve të vegjël në vlerë prej 1551.53 euro për aksion”, ka njoftuar Audi.

Në kohën kur u dha ky njoftim, vlera e aksioneve të Audit të martën ishte 1050 euro për aksion. Totali i pagesës që Volkswageni do të bëjë për 152479 aksione arrin në total prej 237 milionë eurosh, sipas të dhënave të “Refinitiv”.

Vendimi për blerjen e aksioneve do të votohet në mbledhjen e ardhshme të Audit, që pritet të ndodhë në korrik ose gusht.