Auto

Rolls-Royce do të mbyll 9 mijë vende pune

Rolls-Royce planifikon të heq nga puna së paku 9 mijë persona, apo më shumë se një të gjashtën e fuqisë së saj punëtore, për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kjo kompani, e cila prodhon motor për aeroplanë, si Boeing 787 dhe Airbus 350, ka bërë të ditur se mund të mbyll disa prej fabrikave të saja për ta përballuar krizën, transmeton KOHA.

Linjat ajrore dhe furnizuesit e tyre janë disa nga bizneset që janë prekur më së shumti nga mbyllja e shteteve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Britania, ashtu sikurse shumë ekonomi të shteteve të tjera, është duke u ballafaquar me recesion të madh, ku ka pasur numrin më të madh në 24 vitet e fundit të lajmëruar si persona të papunë.

“Ne duhet të reduktojmë koston bazë dhe të adaptohemi me botën e re, duke përshtatur kapacitetin tonë me dëmtimet e pritura”, ka thënë shefi ekzekutiv i Rolls-Royce, Warren East.

Për Rolls-Royce, kjo është humbja më e madhe që prej privatizimit të saj, në 1987-ën.

Mbyllja e 9 mijë vendeve të punës, nga stafi i saj, i cili përbëhet nga 52 mijë persona, do të bëhet kryesisht nga biznesi i aerodinamikës, i cili gjeneron afër gjysmën e buxhetit të saj, i cili është rreth 15 miliardë funde në vite.

Nga kompania e Rolls-Royce kanë thënë se me këtë, planifikojnë që të kursejnë 1.3 miliardë funde të kostos totale vjetore.