Shqipëria ndryshon Kodin Rrugor, ashpërsohen gjobat për alkoolin dhe përdorimin e celularit në timon

Shqipëria ndryshon Kodin Rrugor, ashpërsohen gjobat për alkoolin dhe përdorimin e celularit në timon

27 February 2020 12:27

Tiranë, 27 shkurt - Policia e Shtetit publikoi sot ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë ashpërsimin e masave për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Ashpërsim i masave parashikohet për shkeljen “Drejtim i mjetit nën ndikimin e alkoolit”, ku nga 5-15 mijë lekë gjobë që ishte më parë, nëse rezulton me përmbajtje alkooli nga 0.8 g/l deri në 1.5 g/l, pezullohet leja e drejtimit nga 1-2 vjet dhe vendoset gjobë nga 20-40 mijë lekë.

Po ashtu, kur drejtuesi i mjetit shkakton aksident dhe rezulton me përmbajtje alkooli më të lartë se 1.5 g/l, i hiqet leja e drejtimit duke hequr të gjitha pikët, ndërkohë që më parë Kodi parashikonte 5-15 mijë lekë gjobë dhe pezullim leje drejtimi 6 muaj deri në 1 vit.

“Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit” ishte 5-15 mijë lekë dhe nëse drejtuesi i mjetit autoveturë rezulton me përmbajtje alkooli nga 0.3 g/l deri në 0.5 g/l pezullohet leja e drejtimit nga 3-6 muaj dhe gjobë 10 – 20 mijë lekë.

Po ashtu, kur drejtuesi i mjetit konstatohet me pije alkoolike nga ora 19:00-06:00, gjoba është 30% më e lartë.

Për shkeljen “Celulari në timon” masa ishte 1-15 mijë lekë dhe tani kur shkelja përsëritet 3 herë brenda vitit dyfishohet gjoba, si dhe drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit 3 muaj dhe i hiqen 10 pikë.

Po ashtu në Kodin Rrugor shtohet: drejton mjetin me telefon në dorë 5 mijë lekë;

drejton mjetin duke folur në telefon 10 mijë lekë; drejton mjetin duke shkruar mesazh 15 mijë lekë.

“Përparësia: ishte gjobë 1-3 mijë lekë dhe bëhet gjobë nga 5-8 mijë lekë dhe kur shkelja përsëritet 2 herë brenda vitit, pezullohet leja e drejtimit nga 6-12 muaj. Për shkeljet e mësipërme hiqen 5 pikë.

“Parakalimi” ishte 1-3 mijë lekë dhe bëhet gjobë nga 5-10 mijë lekë. Kur shkelja përsëritet 2 herë brenda vitit, dyfishohet gjoba dhe pezullohet leja e drejtimit 1 muaj.

“Përdorimi i kaskës mbrojtëse në motor” ishte gjobë nga 1-3 mijë lekë dhe shtohet: në kushtet e errësirës është i detyrueshëm mbajtja e jelekut fosforeshent.

“Përdorimi i rripave të sigurimit” parashikohet gjobë 1-3 mijë lekë për drejtuesin e mjetit, kur ka pasagjerë që nuk kanë vendosur rripin e sigurimit.

“Sjellje agresive në rrugë” shtohet: Kur drejtuesi i mjetit, në rrugë interurbane kryesore e dytësore ushtron presion apo agresion me sistemet e ndriçimit dhe nuk ruan distancën e sigurisë, duke vënë në rrezik serioz përdoruesit e rrugës para tij, ndëshkohet me gjobë 10- 20 mijë lekë dhe heqje 5 pikë të lejes së drejtimit.

“Testi i idiotit” shtohet: Për shkelje të rënda të normave të sjelljes të përsëritura gjatë drejtimit të mjetit, Policia e Shtetit detyron drejtuesin e mjetit të kryejë vizitë mjekësore (test psikologjik), për të dëshmuar aftësitë e tij, për lejimin e mbajtjes dhe përdorimit të lejes së drejtimit.

“Mbështetja për sigurinë rrugore” parashikohet që 3-5 % e arkëtimeve vjetore TPL shkon në fondin e parandalimit të aksidenteve/sigurisë rrugore.

“Këshillimi” shtohet: Për një kategori shkeljesh rrugore, për të cilat agjenti verifikues vendos të këshilloj kundravajtësin, këshillimi duhet të administrohet në sistemet e Policisë.

Drejtuesit të mjetit të këshilluar/evidentuar në sistem, nëse konstatohet me të njëjtën shkelje brenda 1 viti, i vendoset masa maksimale e parashikuar nga dispozita e shkelur/ATSH.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme