Ky është Jaguar F-Type i ristilizuar Foto: Top Car

Ky është Jaguar F-Type i ristilizuar

03 December 2019 23:01

Prodhuesi i njohur britanik i veturave, Jaguar, ka prezantuar zyrtarisht modelin F-Type të ri.

Sa i përket pamjes, ndryshime më të mëdha ka pësuar pjesa e tij e përparme e cila bazohet në modelet më të reja të këtij brendi. F-Type i ri tani vjen me dritat e reja, maskën e përparme të re, kofanon e modifikuar, si dhe disa ndryshime të vogla në pjesën e pasme dhe rrotat e reja.

F-Type i ri, po ashtu, vjen me enterier modern, me sistemin më të ri “Touch Pro” për argëtim dhe informim (i cili mund të lidhet me aplikacionet Android Auto dhe Apple CarPlay), si dhe ka instrument-tabelën digjitale me ekran 12.3-inçësh.

Sa i përket motorit, versioni bazë i F-Type të ri do të ketë motor 2.0-litër Turbo me katër cilindra e kapacitet prej 221 kW/300 kuajfuqi, si dhe në dispozicion do të jetë edhe motori 5.0-litër V8 me 331 kW/450 kuajfuqi, transmeton Koha.net. Ky i fundit është në kombinim me marshin automatik me 8 shpejtësi si dhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Gjithashtu, F-Type i ri shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për 4,4 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 285 km/h.

Në krye të gamës qëndron versioni F-Type R, i cili është me kapacitet prej 423 kW/575 kuajfuqi dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 km e arrin për 3,5 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 299 km/h.

F-Type R, përveç motorit të fuqishëm, karakterizohet edhe me amortizatorët e rinj, si dhe me rrotat 20-inçësh nga alumini me ngjyrë të zezë shkëlqyese.

F-Type me motor V8 karakterizohet edhe me funksionin e ri “Quiet Start”, i cili mundëson startimin e veturës pa zgjuar fqinjët.

Blerësve amerikan do t’iu ofrohet motori 3.0-litër V6 me kapacitet prej 283 kW/385 kuajfuqi, i cili do të jetë në dispozicion me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Jaguar F-Type i ri, apo i ristilizuar, tashmë mund të porositet në Britani të Madhe me çmim fillestar prej 54,000 funte (rreth 63,000 euro).

 

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme