Auto

Bashkimi “Fiat-Peugeot” bën fuqinë

“Fiat Chrysleri” dhe pronari i “Peugeotit”, “PSA”, planifikojnë të bashkojnë forcat në një shkrirje 50-50 për të krijuar prodhuesin e katërt më të madh të automobilave në botë, për të përballuar më lehtë koston e teknologjive të reja e rënien e ngadalshme të shitjeve.

Kompanitë kanë bërë të ditur në javën e fundit të tetorit se synojnë për pak kohë të nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar grupin në vlerë 50 miliardë dollarësh me seli në Paris, Milano e New York. Carlos Tavares i “PSA-së” parashihet të jetë kryeshef ekzekutiv e John Elkann i “Fiat Chryslerit” kryetar bordi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Jo më shumë se pesë muaj më parë, “FCA” anuloi bisedimet për bashkim me rivalin francez të “PSA-së”, “Renaultin”. Lëvizja e re vjen pasi prodhuesit po përballen me rënie në tregun e automobilave në botë dhe po rriten investimet në automobilat elektrikë dhe në automobilat autonomë.

“FCA” do të mund të kishte qasje në platformat më moderne të automobilave të “PSA-së”, duke i ndihmuar të arrijë përshtatjen me rregullat e reja për emetim gazrash, teksa “PSA-ja” do të përfitonte nga tregu profitabil i “FCA-së” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me brendet si “Ram” dhe “Jeep”.

Gjithsesi, marrëveshja mund të përballet me kontrolle të rrepta rregullative, teksa qeveritë në Romë dhe Paris dhe sindikatat pritet të frikësohen për humbjen e vendeve të punës pas kombinimit të forcës punëtore të rreth 400 mijë personave.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)