Auto

Në fundjavë automobilistët i kthehen garës malore në Grashticë

Pas Krujës e Buzetit, automobilistët e Kosovës këtë fundjavë rikthehen në kampionatin vendor, me garën e disiplinës malore, e cila mbahet në Grashticë dhe pritet me interesim, sidomos nga dashamirët e autosportit në kryeqytet, pasi shtegu është shumë afër, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se autoklubi “Prishtina Racing Team”, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës dhe Kuvendin Komunal të Prishtinës i kanë marrë të gjitha masat për organizim sa më të mirë të kësaj gare, e pesta me radhës e disiplinës malore, transmeton Koha.net.

Paraqitja në garë bëhet të shtunën prej orës 08:00-10:00 për të vazhduar më pas me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik, ndërsa vozitja e parë është paraparë për orën 12:30.

Të dielën, me fillim në orën 10:00 fillon renditja e garuesve sipas rezultateve të arritura në provat e së shtunës, ndërsa pas procedurave të zakonshme, gara do të fillojë në orën 12:00.

Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve do të jenë aty për çdo eventualitet, ndërsa FASK kërkon mirëkuptim nga kalimtarët e rastit, të cilët do të duhet të presin në intervale të caktuara kohore, gjatë kohës sa është duke u zhvilluar gara.