Auto

Renaulti prezanton Capturin e ri, vjen me teknologji të re

Prodhimi i gjeneratës së parë të modelit Captur të Renaultit ka filluar në vitin 2013 dhe në vitin 2017 është prezantuar versioni i ristilizuar i saj.

Pavarësisht konkurrencës së madhe në segmentin e Crossoverëve për qytet, në të cilin kohëve të fundit janë futur Volkswagen T-Cross dhe Skoda Kamiq, Renaulti sot ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën e re të Capturit, transmeton Koha.net. Capturi i ri do të duhej të vazhdoj shitjen e suksesshme sikurse paraardhësi i tij, kopjet e të cilit nga viti 2013 janë shitur 1.2 milion klientëve.

Sa i përket dizajnit, Captur II vjen me interier modern, sistemin për informim dhe argëtim (Infotainment) të gjeneratës së fundit si dhe me sistemet tjera që ndihmojnë shoferin.

{gallery}

Gjithashtu, Captur II vjen edhe me sistemin multimedial të Renaultit Easy Link (me ekran deri në 9.3-inç), sistemin Multi-Sense, ekranin digjital TFT prej 7 ose 10-inç, si dhe me të ashtuquajturën “konzolën fluturuese” (një pjesë rreth dorezës së marshit e cila është e ngritur për të përmirësuar ergonominë).

Renault Captur II bazohet platformën e gjeneratës së re CMF-B dhe ky prodhues francez thotë se Capturi i ri ka 85 për qind të pjesëve të reja në krahasim me paraardhësin e tij, po ashtu, vjen me më pak peshë, aerodinamikë më të mirë si dhe me izolimin e përmirësuar të zhurmës.

Gjithashtu, Capturi i ri është 1.1 metër më i gjatë se Capturi aktual dhe 0.2 metra e ka më të gjatë boshtin e rrotave, kështu që ofron hapësirë më shumë për pasagjerët në pjesën e pasme si dhe bagazhin e ka me kapacitet prej 536 litra.

Ky Crossover i ri i Renaultit, po ashtu, do të ketë sistemin e kamerave prej 360 shkallë, sistemin automatik të frenimit, sistemin për identifikimin e këmbësorëve dhe biçiklistëve, sistemin audio “Bose”, çatinë panoramike, set të rrotave 18-inç nga alumini, dritat Full-LED, etj.

Renaulti do t’i ofrojë Capturin e ri klientëve me 11 ngjyra për eksterier (duke përfshirë ngjyrën e re të portokalltë “Atacama”, të kuqe “Flame” dhe të kaltër “Iron”), katër çati kontraste dhe 3 paketa për personalizim.

Sa i përket gamës së motorëve, Captur II do të jetë në dispozicion me motorin TCe 100 (motori benzinë Turbo 1.0-litër me tre cilindra e kapacitet prej 100 kuajfuqi), TCe 130 (benzinë me 130 kuajfuqi, në kombinim me marshin manual me 6 shpejtësi ose marshin e ri EDC me 7 shpejtësi), TCe 155 (Turbo-benzinë 1.3-litër me 155 kuajfuqi, në kombinim me marshin EDC me 7 shpetjësi), si dhe motori dizel 1.5-litër Blue dCi me kapacitet prej 95 dhe 115 kuajfuqi (versioni më i dobët vjen me marshin manual me 6 shpejtësi, ndërsa ai më i fuqishëm me marshin EDC me 7 shpejtësi.

Gjithashtu, thuhet se Renault Captur II gjatë vitit të ardhshëm do të jetë në dispozicion edhe në version plug-in hibrid, i cili vetëm me motorin elektrik do të mund të udhëtojë deri në 45 kilometra me një shpejtësi mesatare prej 135 km/h.