Tregut të veturave klasike dhe atyre Off-Road, aktualisht nuk i mungojnë risitë, por modeli klasik i Fordit, Bronco, në version elektrik nuk është diçka që mund ta shohim çdo ditë. Prapa këtij modeli, qëndron kompania Zero Labs Automotive.
Kështu, Zero Labs Ford Bronco është Bronco klasik i parë në version elektrik dhe më i miri në segmentin e veturave elektrike klasike, transmeton Koha.net. Ky model është restauruar krejtësisht, por vjen me karrocerinë e bërë nga fibra të karbonit, panelet e brendshme nga druri, interier me lëkurë cilësore, instrument-tabelën digjitale me stil klasik dhe shumë pjesë të tjera të dizajnuara sipas kohës së tanishme, moderne.
{gallery}
Zero Labs Ford Bronco, po ashtu, vjen me baterinë litium-jon me kapacitet prej 70 kWh e cila mundëson që me vetëm një mbushje të udhëtohet deri 306 kilometra. Motori i këtij modeli klasik elektrik ka kapacitet prej 360 kuajfuqi dhe është i kombinuar me marshin manual me 5 shpejtësi.
Seria e parë e këtij Bronco elektrik do të përbëhet nga vetëm 150 kopje, të cilat tashmë janë në dispozicion për porositje. Sa i përket çmimit, ende nuk është zbuluar se sa do të kushtojë.