Auto

Volkswagen dhe Amazon me shërbim të ri për produktivitetin

Volkswagen do të bashkojë forcat me Amazon për të krijuar shërbimin virtual të ashtuquajtur ”cloud” që pritet të rrisë produktivitetin në fabrikat e montimit, njoftoi prodhuesi gjerman i veturave.

”Qëllimi është krijimi i ‘Volkswagen Industrial Cloud’ që do të lidhë 122 fabrika të VW rreth botës për përshpejtimin e procesit të montimit”, deklaroi Volkswagen.

Kompanitë kanë rënë dakord të punojnë së bashku për krijimin e këtij shërbimi për disa vite, me qëllimin afatgjatë të përfshirjes së Volkswagenit në rrjetin global të furnizimit.

Kompania ka bërë publike planet për të rritur prodhimin e pjesëve të montimit me 30% deri në vitin 2025, duke përjashtuar ato në Kinë.

Gjatë fjalës së tij në një takim pune në Wolfsburg, javën e kaluar, shefi ekzekutiv Herbert Diess tha se ”duhet të fitojmë shumë më shumë para’ me shitjen e veturave tona që të mund të investojmë në të ardhmen”.

Diess paralajmëroi se kompania do të zvogëlohet, gjë që do e bëjë të jetë në gjendje të reagojë më shpejt ndaj konkurrencës.

Volkswagen gjithashtu po punon veçmas me Google që të lidhë me rrjetin makinat e tij në rrugë./atsh