Auto

Lamborghini prezanton Huracanin EVO Spyder në Gjenevë

Foto: Auto Blog

Prodhuesi italian prezantoi në panairin e veturave në Gjenevë një model të përditësuar Huracan EVO Spyder i cili përveç kuajve shtesë vjen edhe me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Huracan EVO Spyder është pothuajse një version i ristilizuar i modelit më të shitur aktualisht të Lamborghinit që ka qenë në treg për më shumë se 4 vjet.

Përveç përmirësimeve mekanike dhe shtytëse, janë bërë disa ndryshime në dizajn. Huracan EVO Spyder vjen me mbrojtësin e ri të përparmë dhe rrotat reja nga alumini.

{gallery}

Ndryshimet përfshijnë edhe pjesën e pasme. Në vend të katër, tani ekzistojnë dy gypa të sistemit të shkarkimit të gazrave, ndërsa mbrojtësi i pasmë është ri-dizajnuar plotësisht, transmeton KosovaPress.

Motori ekzistues 5.2-litër V10 është përforcuar nga 610 në 640 kuajfuqi. Kështu, Huracan EVO Spyder është i barabartë me fuqinë e motorit me modelin deri tani më të fuqishëm - Huracan Performante.

Sipas të dhënave të fabrikës, pesha e Huracanit të ri është 1.422 kg dhe shpejtësinë nga 0 deri 100 kilometra në orë e arrin për 2.9 sekonda ose për 0.3 sekonda më i mirë se modeli Huracan i 2014-ës dhe është i barabartë me rezultatin e Huracan Performante, si dhe shpejtësinë deri në 200 km/h e arrin për 9 sekonda. Lamborghini thotë se Huracan EVO Spyder shpejtësinë maksimale e arrin mbi 325 km/h.