Rreth 4,000 punëtorë të fabrikës së Audit në Hungari kanë mbajtur një grevë dy-orëshe paralajmëruar. Ata kërkojnë rritje pagash dhe përfitime tjera nga prodhuesi prestigjioz gjerman i veturave.
Udhëheqësi i sindikatës së punëtorëve, Sandor Nemeth ka thënë se ndërprerja e dy-orëshe e punës e së premtes ishte “jashtëzakonisht e suksesshme”, një provë se punëtorët mbështesin kërkesat e sindikatës, raporton Associated Press, transmeton Koha.net. Kërkesat e tyre përfshijnë rritjen e pagës për 18 për qind ose së paku rreth 235 euro, si dhe të paktën një fundjavë të lirë në muaj.
Audi ka thënë se do të vazhdojë negociatat për pagat dhe se greva nuk ka ndikuar fare në aftësinë e kompanisë për të furnizuar konsumatorët e saj.
Prodhuesit e veturave si Audi, Mercedes, Suzuki dhe Opel kanë qenë ndër nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike të Hungarisë në vitet e fundit.
Në vitin e kaluar, fabrika e Audit në Gyor, në Hungarinë perëndimore, ka prodhuar 1.95 milion motorë dhe 100,000 automjete ndërsa ka të punësuar 13,000 punëtorë.